“Problemi krijohet nga nevojat vazhdimisht në rritje për shkëmbim të dhënash mes paisjeve gjithnjë e më të shumta që zotërojmë sot”, thotë zonja Xia. Po rritet numri i paisjeve pa tela dhe ndërsa shtohet trafiku i shkëmbimit të të dhënave, po ashtu krijohet edhe mbingarkesë.
Shumica e informacionit transmetohet nëpërmjet radiofrekuencave, të cilat nuk mjaftojnë për të gjitha paisjet kompjuterike që po ndërlidhen.
“Në komunikimin e sotshëm përdorim radiovalët. Ideja ime është që të shqyrtojmë mundësinë e komunikimit nëpërmjet spektrit të dritës së dukshme”, thotë zonja Xia. Me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar të Shkencës, zonja Xia dhe një ekip i Kolegjit Dartmouth po zhvillojnë teknologjinë e quajtur Li-Fi, për të transmetuar të dhënat duke përdorur paisjet e ndriçimit në shtëpitë tona.
“Ideja është që t’i shndërrojmë llampat në transmetues të dhënash nëpërmjet variacioneve të dritës”, thotë zonja Xia. Me montimin e një moduli të vogël, çdo llampë LED mund të shndërrohet në një paisje komunikimi në distancë. “Ka një spektër shumë më të gjerë komunikimi. Është gjithashtu shumë më e sigurtë, pasi drita nuk mund të penetrojë muret. Pra, mund ta izolosh komunikimin brenda një dhome pa u shqetësuar se mund të përgjohet nga të tjerë”, thotë zonja Xia.
Mund të funksionojë madje edhe në errësirë, duke përdorur të ashtuquajturën “dritën e errët”. “Lëshojmë impulse shumë të shkurtra nga llampat LED, të cilat janë të pakapshme nga sytë tanë, por që kapen nga sensorë që mundësojnë kështu transmetimin e të dhënave”, thotë ajo.
Kjo teknologji gjithashtu mundëson shkëmbim informacioni thjesht nëpërmjet gjesteve në ajër. Kjo do të ketë përdorim gjithnjë e më të madh, ndërsa vazhdojnë të prodhohen paisje me përmasa më të vogla. Dritat në tavan p.sh. mund të pikasnin të gjitha lëvizjet e trupit tonë. Ekipi e ka testuar këtë lloj sistemi për të kontrolluar ndërveprimin në realitetin virtual, por potenciali i tij shtrihet përtej lojërave elektronike.
“Nëse infrastruktura në mjedisin që na rrethon, është gjithnjë e informuar për lëvizjet e trupit tonë, atëherë mund të komunikojmë pa patur asnjë paisje në trup”, thotë zonja Xia. Teknologjia LI-FI kufizohet nga pamundësia për të përçuar muret.
Kjo do të thotë që çdo llampë në godinë duhet të jetë e lidhur individualisht me internetin, gjë që do ta shtonte shumë koston. Megjithatë, në të ardhmen ndoshta llampat e lidhura me internetin do të vendosen në të gjitha ndërtesat.