Kushtet e rënda atmosferike, si pasojë e reshjeve të shiut, kanë rritur ndjeshëm numrin e aksidenteve rrugore që kanë ndodhur në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit.
Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, në orën 7:20, një makinë është përplasur me një motoçikletë, e për pasojë ka mbetur i vdekur drejtuesi i kësaj të fundit.
Një tjetër aksident ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, pranë fshatit Bellanicë të Malishevës, ku rreth orës 9:00, një makinë me targa të Shqipërisë është përmbysur. Si pasojë e këtij aksidenti janë dëmtuar dy persona.
Të aksidentuarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim. Aksidenti ka ndodhur pasi lëvizja e makinës nuk është përshtatur me kushtet e rrugës.
Të dyja rastet u konfirmuan për Top Channel nga zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Ndërsa rreth orës 13:00, një tjetër aksident ka ndodhur në rrugën Miloshevë-Mazgit.
Zëdhënësja në Policinë e Kosovës, Florie Ahmeti tha për Top Channel se, aksidenti ka ndodhur pasi drejtuesi i makinës Audi ka humbur kontrollin, duke mos iu përshtatur kushteve rrugore, e për pasojë janë dëmtuar 4 persona. Një prej të dëmtuarve, sipas Ahmetit është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Gjatë 24 orëve të fundit, sipas Instituti Hidrometeorologjik të Kosovës, sasia e reshjeve që kanë rënë në Prishtinë ka qenë 9 mm, në Pejë 18 mm, në Mitrovicë 8 mm, në Ferizaj 12 mm dhe në Gjilan 27 mm.