Nuk ka më punë sezonale në Greqi, mbi 300 të kthyer në Kapshticë

Edhe pse prej vitesh, ishin mësuar të punonin me sezone në Greqi, edhe pa pasur dokumentacion të rregullt, tashmë duket se për banorët e fshatrave të Korçës, kjo gjë është e pamundur.

Qindra qytetarë, pa leje pune apo leje qëndrimi në shtetin grek janë duke u bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Në këtë periudhë kur në vendin fqinj nis vjelja e ullirit qindra qytetarë janë nisur drejt Greqisë për të punuar, por autoritetet doganore kanë ngritur barriera duke i kthyer ata pas.

Në 24 orë pala greke ka kthyer të paktën 300 qytetarë shqiptarë, të cilëve u ka kërkuar që të kenë me vete garanci për qëndrimin e tyre ose garanci origjinale prej personave që i presin. Mësohet se kjo praktikë nuk është ndjekur vitet e tjera, kur pavarësisht se parashikoheshin në ligj këto kritere anashkaloheshin.

“Më kanë kthyer për mungesë garancie. Na thanë që nuk duhet të kemi edhe para me vete”, shprehet një qytetar.

“Kjo është hera e parë që na kërkojnë garanci. Unë kisha para, por jo garanci dhe më kthyen mbrapa”, thotë një tjetër qytetar.

“Na kanë thënë se duhet të kemi 600 euro me vete, por ne për ato euro shkojmë në Greqi”, shprehet një tjetër.

Sipas banorëve, e gjithë kjo situatë ka ardhur pas krizës ekonomike në Greqi, ku numri i të papunëve është rritur.

Leave a Reply