KRIJUESIT QË LEGJITIMOJNË SHARLATANIZMIN

Pjesëmarrja e krijuesve nëpër manifestime e konkurse kombëtare, është mundësi shumë e mirë për t’i shpalosur vlerat personale; krijuesi nëpër evente të tilla përfaqëson vetveten duke i ofruar opinionit artdashës krijime nga më të rejat që përbëjnë opusin e tij krijues. Ndërkohë që pjesëmarrja e krijuesi nëpër manifestime e konkurse ndërkombëtare nënkupton një mundësi më të gjerë! Përveçse prezantimit të vlerave personale, krijuesi nëpër festivale apo manifestime përkatëse përfaqëson etninë e vet, prezanton kulturën krijuese, dhe jo vetëm të etnisë prej nga vjen. Prandaj kërkohet që ky prezantim të jetë sa më dinjitoz, ndërsa organizatori të jetë në gatishmëri totale për ta respektuar krijuesin dhe për t’ia ofruar të gjitha mundësitë e prezantimit të tij dinjitetshëm.
Në hapësirën ballkanike “Open Ballkani” është provuar vite dhe dekada më parë, pikërisht përmes OJQ-ve (bastardë të “shoqërisë së hapur”) që kanë pasur obligim të zhvillojnë multi-kultin, sidomos te shqiptarët, të cilëve me pak para ua kanë blerë harrimin e vuajtjeve, vrasjeve, përdhunimeve, shkeljen e dinjitetit, nëpërkëmbjen e vlerave kulturore, më shumë se gjysmë shekulli! Poetët patriotë, poetët nacionalistë shqiptarë kur është në pyetje “darka poetike” e shoqëruar me ndonjë gotë raki, ulen gjunjë më gjunjë me potët serbë dhe, madje, janë në gjndje t’ua bëjnë “hallall” ne emër të popullit, tërë atë urrejtje prej bishe të uritur kundër çdo gjëje shqiptare!
Kësisoj na lindën do manifestime poetike, përgjithësisht kulturore, na lindën ca poetë e krijues të OJQ-ve, na lindën ca OJQ me borde prej poetësh e krijuesish të vetëshpallur të cilët pastaj themeluan edhe “manifestime ndërkombëtare”, sa për ta ftuar njëri-tjetrin (gjithnjë të njëjtin!) nëpër evente të tilla pa kurrfarë interesi kombëtar dhe pa kurrfarë efekti në dobi të kulturës kombëtare.
Manifestimet e këtilla na nxorën në skenë “artistë”-matrapazë, të cilët u bënë cergë nëpër të cilët parakalojnë krijues të po atyre nacionaliteteve me të cilët ne si komb patëm dhe kemi akoma probleme, shqetësime e provokime si pasojë e mosnjohjes dhe ofendimit të etnicitetit tonë me të gjitha vlerat kulturore, të cilat bota i pranon dhe i strehon nën UNESKO si vlera të mbarë njerëzimit (hiç pa pasur nevojë për “intervenime multi-kulti”)!
Edhe financuesit e këtyre eventeve artistike e dinë fort mirë që aktivitetet e tilla nuk po prodhojnë efekte të pritshme, sepse kanë të bëjnë me një palë krijuesish të cilët tashmë janë të verbuar nga “dielli i të vërtetës mitike” të tyre, gjë që ka ndikuar që krijuesit e këtyre nacionaliteteve me qëndrime historike antishqiptare, të sillen si triumfalistë, pa u skuqur nga krimet që i kanë bërë kundër shqiptarëve, pa u turpëruar nga mohimi absolut i vlerave shqiptare, apo pa shprehur keqardhjen më të vogël për tërë ato vrasje, masakra, përdhunime që i kanë bërë me plotë “kulturë e poetikë” kundër popullit, prej të cilit dalin disa matrapazë dhe mundohet t’u krijojnë hapësirë rehabilitimi pinjollëve të kriminelëve më të mëdhenj të Ballkanit dhe më gjerë!
Organizatorët nuk janë të sinqertë as me qëllimet dhe as me synimet parësore të këtyre eventeve! Ata mundohen që, duke i gëlltitur të gjitha faktet e tmerrshme historike, të përfitojnë ndonjë kockë qeni! Mysafirët që i ftojnë ua cenojnë dinjitetin artistik, sepse si pikë e parë, nuk u sigurojnë akomodim të dinjitetshëm, por i strehojnë nëpër shtëpitë e organizatorëve, ndërsa financuesit i ofrojnë lloj-lloj faturash hotelerike. Madje, ka prej atyre krijuesve shqiptarë që rrinë nëpër shtëpitë e veta (në Maqedoni, në Luginë, në Shqipëri, në Mal të Zi) dhe, sakaq shfaqen vetëm kur t’u vije koha e prezantimit të tyre si krijues nga viset etnike. Krijuesve serbë, maqedonas apo malazezë, u sigurohet akomodime të kategorive super të larta!
Në Serbi, për shembull, krijuesit nga Shqipëria janë “të mirëpritur” (vetëm për inat të shqiptarëve nga Kosova), ndërsa, krijuesit nga Kosova priten me protesta masovike popullore serbe. Kjo ka ndodhur disa herë dhe asnjëherë shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë e të Shqipërisë, nuk janë mbushur mend që të heqin dorë prej të tilla “eventeve krijuese” multi-kulti, duke ua bërë me dije financierëve ndërkombëtarë se janë të kota përpjekjet e këtilla, meqë shqiptarët po ia dalin ta kultivojnë “ideologjinë e multi-kultit”, por janë serbët, apo maqedonasit, pikërisht ata që nuk e honepsin kulturën shqiptare. Pa Kulturë Shqiptare, asnjë kulturë tjetër në Ballkan dhe më gjerë nuk mund të qëndrojë në këmbë të veta! Këtë duhet ta kenë të qarë të gjithë, sidomos ata organizatorë e poetë të OJQ-ve që janë të vetmit që tash e dy-tri dekada paraqiten nëpër manifestime të këtilla! Se kush i harton kriteret e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit, këtë e dinë vetëm ata që po vdesin në vorbullën e një multi-kulti që assesi të japë më të voglin rezultat, sidomos në rrafshin kulturor! /HEJZA/

Leave a Reply