(fragment, monodramë, 2004)
(Zhvesh tunikën dhe me të e vesh njërën nga shtyllat.)
Kurrë nuk u shfrye urrejtja e mllefi kundër pushtetarëve. Fajtor për çdo gjë mbeta unë – Judë Karioti! Pushteti i shtetit u rebelua kundër Pushtetit të Zotit! Pastaj rebelusit u bënë më paqësorë se Jezusi. Nga pallati jehoi lajmi se, Jezusi është Zoti vetë dhe, të gjithë ata që do të ngriten kundër asaj që predikoi Biri, do të bëjnë tradhëti. Të tillët do të pendohen e do të përfundojnë ngjashëm si tradhëtari Juda. Kështu trumpetuan ata që e dënuan Jezusin duke ia ngritur një aktpadi nga më banalet në historinë e njerëzimit. Jezusi e pranoi “fajësinë”! Kishte thënë: “Këtë Tempull mund ta rrënoj dhe për tri ditë ta ngris sërish”! Krishti në kryq e Baraba në liri! Tash e tutje, të gjithë njerëzit e mirë do të përfundojnë në burg e tortura, e njerëzit e mëkatshëm, horrat e hajnat, në liri! E tillë do të jetë drejtësia e pushteteve të ardhshme. Kur do të shihen mëkatarët rrugëve, populli do të thotë: “Shihni sa shpirtgjërë është pushteti ynë! I falë edhe ata që nuk duhet”! Ata që do të ngriten kundër këtij soji të pushtetit do të përndiqen e ndëshkohen me likuidim. Ndërsa ishte vullnet i Zotit që u përmbyt pushteti dhe qytetet Sodoma e Gomora.
(Shkon pas shtyllës së veshur me tunikë. Po ajo dritë e purpurt.)
Pas tri ditësh, Krishti u Ringjall dhe u ngrit drejt qiellit ngjashëm si ai pëllumb kur iu lëshua supeve derisa po pagëzohej nga Pagëzori në Lumin Jordan. Varri i tij mbeti bosh. Unë mbeta pa varr. Pilati tha: “ Kurrë mos të kenë kryengritësit asnjë vend të shenjtë ku do të mblidhen për ta bekuar kryengritjen! Çdo popull le ta ketë kryengritësit e vet dhe le të bëhen copa mes vete”! Jo po, Pilati foli me gojën e Satanit! Ai harroi se kryengritje kundër pushtetit të shtetit nuk do të ketë. Sepse, kjo ishte njëra ndër porositë e shenjta të para që i la Biri i Zotit. Mund të ketë pakënaqësi, protesta, demonstrata… rrënim të dhunshëm të pushtetit që vie me dhunë. Dhuna sjell dhunë! Dhe, kjo dhunë nuk do të ndalet përderisa nuk do të vie në krye Pushteti i Perëndisë. Ky pushtet do të vie me ardhjen e Jezusit. Ndaj, të gjithë e presin ardhjen e Krishtit. Të gjithë ndjehen të fyer e të poshtëruar, të shkelur e të nëpërkëmbur. Prandaj tash e dymijë vjet pritet Shpëtimtari. Krishti po vjen!
(Largohet nga shtylla)
Unë erdha! Tash e tre ditë po bredh nëpër botë e askund nuk e gjeta varrin që t’i kthehem trupit tim. Pata guxim të ngritem kundër Perandorisë së Cezarit, ndërsa… o Zot o tmerr… nuk paskam guxim të bredh edhe më tej për ta gjetur varrin. Dikush paska thënë se varri im do të gjendet në barkun e një shkabe! Gjithandej tmerr, zi, tradhëti e komplote. Gjakim për paqe! Për aso paqe që ngritet mbi kurriz të të dobëtit. Gjakim për ta luajtur rolin e shpëtimtarit… të sjellësit të paqes. Luftë për paqe. Gjithandej luftë për paqe! Për aso paqe që do të ngritet sipas dëshirës së atyreve që do ta fitojnë luftën. Paqe njeriu! E në tokë njeriu mbeti mik i Satanit. Gjithandej pashë tek mohohet e nëpërkëmbet dinjiteti i të urtëve. Sepse, revolucioni i tyre është më i sigurtë, më i qëndrueshëm, më me jetë. E Satani do tollovi, pshtjellime, kaos, në shtëpi, në familje, në fis, në popull!
(Heshtje e shkurtër)
Unë thashë: në mua u ngjall rebelimi kundër pushtetit qysh herët. Por, isha i gatshëm ta filloj kryengritjen vetëm atëherë kur gati po përkryhej ngjallje shpirtërore e popullit të Judesë. Mjer ai popull që hidhet në kryengritje pa një ngritje paraprake shpirtërore. Çfarë mund të ndodhë pas kryengritjes së shpirtit të varfër? Kaos, anarki, zvetënim të gjenit luftarakt të atij shpirti liridashës, por, të varfër.
(Pauzë)
Sot, do të ik nga këtu. Kurrë nuk do t’i rrëfej askujt për atë që pashë. Sepse, edhe këta pushtete m’u dukën të ngjashëm si ai i Pilatit. Popujt, që të gjithë ishin të një mendimi: Juda qe tradhëtar dhe – pikë! Juda qenka dashur të tradhëtojë që pastaj, Perandoria Romake popullit të vet t’ia krijojë një zot të cilin do ta madhërojnë të gjithë, edhe vetë Cezari. Të gjithë t’i nënshtrohen pushtetit të Cezarit, sepse edhe vetë ai i nënshtrohet pushtetit të Zotit. Pushteti është lidhja mes njeriut dhe Zotit! Pallavra… pallavra janë këto! Megjithatë – gjithandej pushtete të ngjashëm dhe, mjerisht, njerëz naivë. Prandaj nuk do t’ju rrëfej asgjë nga ajo që pashë. Sepse, në njërën anë është pushteti e në anën tjetër jam unë, Juda. Kopea është në mes! Për çdo vrasje nga ana e pushtetit, faji mund të më hidhet mua, ndërsa viktimën t’ua ngrisin në Perëndi. Prandaj nuk do t’ju rrëfej asgjë.
(Duke e veshur dhe përthakuar tunikën)
Është rëndë të ecësh me peshën e tradhëtarit. Kështu qe shkruar! Të gjithë Librat e Shenjtë thonë se dikush do ta tradhëtojë Jezusin! Unë nuk isha tradhëtari! Unë isha rebelusi! U rebelova kundër përcaktimeve të Zotit për të ardhur deri te një pushtet i hyjnishëm. Qëllimet ishin të njëta, por, rrugët ishin të ndryshme. Shpirti im ishte plot mllef, urrejtje. Në shpirtin tim ishte grumbulluar tërë ajo uri e bishave të egra për ta copëtuar pushtetin i cili ta hante mishin e ta linte kockën. Shpirti im qe i pashpirt. Trim po, por, i varfër në shpirt. Rrugës së Jezusit për të ardhur deri te ai pushtet i paqtë për mbarë njerëzimin nuk pati vend për shpirtin tim. Ndonëse ecëm bëshkarisht, në dy rrygë, qëllimin e patëm të njëjtë. Nuk kishte tradhëti të qëllimit, të idealit. Pati tradhëti të porosisë hyjnore. Hyji porosiste pushtet të paqtë për mbarë njerëzimin, ndërsa unë qenkam angazhuar vetëm për paqe të njerëzve të mi. Këtë e kuptova shumë më vonë. Prej një kryengritësi të paepur u bëra tradhëtar. Kjo më dhemb! I turpshëm qenka angazhimi për paqe e rehati vetëm për njerëzit e tu. Këtë e pashë gjithandej kah brodha. Mospërfillës të pushtetit hyjnor! Si unë dikur! Në secilin vend, në secilin rreth, në secilën tavolinë e pashë nga një Judë. Nuk ishin si unë. Më vjen keq që nesër të gjithë do të emërohen me emrin tim – Judë! Unë isha rebel. Rebel që tradhëtoi një rrugë të shenjtë, por jo edhe qëllimin. Pas meje, populli u bë me Zot. E pati qëllimin e jetës. Këtu, sot, të gjithë qenkan pa zot e pa qëllim. Nuk e dinë se cili është qëllimi i jetës, i martesës, i vdekjes, i pushimit, i këndimit, i lojës e i luftës. Nuk dihet pse jetohet e si duhet të vdiset. Qëllimi këtu paska vlerën e një metaliku. Për një metalik shitet qëllimi! Unë, për 30 metalikë paskam shitur Birin e Zotit! Tradhëtia ndodhi pasi u arrit qëllimi. Këtu, ende pa u arritur qëllimi ndodhin tradhëtitë. Këtu, tradhëtia është qëllim. Qëllimi për t’u marrur me punë të liga është tradhëti që i bëhet udhës së shenjtë. Heshtja mbi punët e liga është tradhëti e pushtetit të shtetit që ia bën pushtetit të hyjnishëm. Kërrusja e qafës që bëhet para dhunës së pushtetit është tradhëti që i bëhet Shpirtit të Shenjtë. Pranimi për t’u shndërruar në oborrtar është tradhëti që i bëhet interesit të përgjithshëm. Ikja nga identiteti dhe tjetërsimi i shpirtit është tradhëti, fund e krye tradhëti! Tradhëti! Tradhëti! Tradhëti…
(Heshtje)
Nuk dua të padis askend. Nuk do t’ju tregoj asgjë. Për askë nuk do t’ju flas. E para qe Fjala! Dhe, fjala Zot qe vetë Fjala! Aman një fjalë të mirë, ju lutem. Jo fjalë që do të padisë dikë pa të drejtë. Gjenealogjia e dënimit padrejtësisht fillon me aktpadinë që ia ngritën Jezusit! Që atëherë, çdo pushtet e pushtetar, në çastin e dënimit, niset nga kjo logjikë: kur dikush pati guximin që ta padisë me pa të drejtë dhe ta egzekutojë Jezusin, kush është ky mbi të cilin nuk mudn të bie një dënim qoftë edhe i padrejtë! Po! Gjykime të tilla hasa edhe në këtë vend. Pashë dhe shfletova shumë materiale sekrete që pushteti i përgatit. Dënimet e drejta e zbardhin pushtetin, dënimet e padrejta e zezojnë miletin. Të gjitha aktpaditë e rreme ngriten për t’u mbjellë frika. Frika njeh vetëm Zotin dhe jo edhe rebelimin. O binduni se Zoti nuk e duron rebelimin e pushtetit. E pushteti rebelohet vetëm kur leh mileti. Qeni i cili e kafshon njeriun, falet. Qeni i cili e frikëson me lehje njeriun, gjithnjë është në planet e likuidimit. Sepse frika është më e rëndë se kafshimi.
https://www.facebook.com/104112788651300/posts/140346925027886/