Ku ngeli redaktura e krijimtarisë letrare!

Midis nesh

Krijuesit po shtohen dhe, me këta, po shtohen edhe prurjet e reja letrare. Dhe, kjo padyshim që e gëzon botën e letrarëve! Plejada e krijuesve të rinj çdo vit defilon nëpër shtëpi botuese, nëpër gazeta e revista letrare, por edhe nëpër portale të ndryshme që u dedikojnë hapësirë të veçantë krijuesve të rinj!
Në këtë vazhdë, duhet të lavdërohet edhe HEJZA që po bën një punë brilante, duke u dhënë hapësirë, përveç krijuesve të dëshmuar, edhe krijuesve të rinj, të cilët, gjithnjë e më vështirë e kanë të sigurojnë hapësirë nëpër faqet e gazetave dhe revistave. Madje, as që duhet të shpresojnë se do të mund të botohen nëse nuk janë anëtarë apo pjesëtarë të kruzhoqeve letrare të futur në vathë të gazetave dhe revistave (elektronike)!
Megjithatë, a kanë nevojë krijimet e reja për një dorë redaktori profesional! Natyrisht, këtë redaktor do ta gjenim në mesin e poetëve të dëshmuar, të atyre krijuesve që lirisht mund të ngrenë “shkollë të poezisë” që do të bartin emrat e tyre; që poezisë do t’ia jepnin gjuhën, muzikalitetin, bukurinë, forcën, të gjitha këto brenda shpirtit të poezisë që ia falë “krijuesi fillestar”.
Poezinë duhet kuptuar përtej “definicionit” se është “shpirti i vetë poetit”, se është “krijim që i ka dhënë frymë vetë poeti”; ajo duhet të kuptohet si një bukuri natyrore e cila e synon përsosmërinë (dhe i takon) përmes ndërhyrjeve estetike nga dora e profesionistit (redaktorit të mirëfilltë) që tashmë ka arritur të jetë nën frymëzimin e shijeve estetike të shenjta të Apolonit nga Parnasi!
Redaktori i poezisë nuk është ai i gazetarisë, i tregimit, i dramës, i blogerëve! Redaktor i poezisë nuk mund të jenë as botuesit, të cilët (me përjashtime) kryesisht janë “biznesmenë”! Redaktori i poezisë është ai që, me forcat herakliane ia trason rrugën e sigurt poetit të ri, si altruist i përkorë do të falë “një shkollë” ku krijuesi fillestar do t’i mësojë dhe kuptojë gjërat më sekrete mbi krijimin poetik.
Në mungesë të kësaj dore redaktoriale, në mungesë të këtyre “shkollave”, krijuesit e rinj do ta ngrenë poezinë ngjashëm si punëtori i rëndomtë që do ta ngrejë rokaqiellin pa inxhinier e pa arkitekt. /HEJZA/

Leave a Reply