Ku po gabon Afrim ef. Tahiri

Shaqir Fetai e ka injoruar Kushtetutën dhe aktet e tjera normative të BFI-së, e ka injoruar Rijasetin dhe Kuvendin, jo se nuk e njeh Kushtetutën, apo statutet e institucioneve dhe asociacioneve të BFI-së, por, thjesht, sepse u urdhërua nga LSDM-BDI, nga pushteti aktual, kurse Shaqir Fetai e ka profesion shpirtëror që t’i zbatoj me ndershmërinë më të madhe të gjitha urdhërat e pushtetit, madje që nga viti 1983

Nga Andi Rakipi, Tiranë

Drejtuesi i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, Afrim ef. Tahiri, shpesh është dëgjuar tek thotë se, drejtuesit aktual të dhunshëm të BFI-së nuk e njohin, nuk e dinë, apo edhe nuk e kuptojnë Kushtetutën, madje e thotë me plotë kompetencë! Ndryshe, nuk do të kishte kaq shkelje drastike të kësaj Kushtetute si dhe të akteve të ndryshme normative të BFI-së. Në aparencë ky konstatim i tij mund të jetë edhe i saktë. Por, nëse pranohet ky konstatim si i saktë, atëherë kemi të bëjmë me injorantë e jo me bashkëpunëtorë të lloj-lloj shërbimesh, kemi të bëjmë me analfabetë e jo me anarkistë, kemi të bëjmë me abdallë e jo me dhunues, kemi të bëjmë me servilë e jo me spiunë!
Është më se e vërtetë se, Shaqir Fetai me banditët e vet e uzurpuan BFI-në duke ia ngulur thikën njeriut që më së shumti i kishin shërbyer, njeriut që e kishin duruar edhe kur ua kishte sharë gratë e nënat; duke ia ngulur thikën njeriut që i kishin kërcyer e luajtur belidens në ahengje private, në përgëzime e në urime.
Është e vërtetë se i kanë shërbyer njeriut që e ka njohur nen për neni Kushtetutën e BFI-së, i ka ditur të gjitha vendimet e aktet normative, që do me thënë se, nuk kanë pasur shansin që mos t’i dinë edhe bashkëpunëtorët e vetë servilë. Sepse, gjithçka që ka ditur reisi, është dashur që të dinë edhe këta, sepse ndryshe si ta kopjojnë, si të “përdëftojnë” se edhe ata janë të një kalibri me reisin e tyre. Sepse, t’i shërbeshë fytyrës markante dhe mos ta dishë Kushtetutën kjo nuk ka mundur të bëjë vaki. Jo për hirë të reisit të tyre, por, për hirë të bythës së vet për ta shpëtuar nga rastet kur do të jenë skajshmërisht të pandershëm. E kanë ditur Kushtetutën, sepse Kushtetuta sanksionon, prandaj këta është dashur të dinë edhe rrugdalje dhe mos të preken nga sanksionimet të parapara në aktin më të lartë normativ të BFI-së.
Të mendosh se Shaqir Fetai nuk e njeh, nuk e di, apo nuk e ka lexuar kurrë Kushtetutën, ateherë e amniston nga afërsia e tij me pushtetin, me partinë si dhe me shërbimet intelegjente të cilat, për lojalitetin jetësor, në fund, e avansuan në karrierë.
Shaqir Fetai e njeh fort mirë Kushtetutën, por e ka injoruar në momentin kur i kanë garantuar BDI-LSDM-ja si dhe UDB-ja se nuk do të lejojnë kurrfarë sanksionesh që i parasheh Kushtetuta e BFI-së, e cila, është e pranuar, e garantuar nga organet e drejtësisë që nga momenti kur është deponuar në këto organe. Në botën e civilizuar, në botën demokratike, jo vetëm institucionet por edhe ojq-të përgjigjen para drejtësisë nëse i injorojnë aktet e tyre më të larta, qofshin kushtetutat apo statutet e veta, sepse, shteti i pranon të njëjtat dhe merr garanca se do të punohet ashtu siç shkruajnë ato akte të tyre normative dhe se do të sanksionohen sipas neneve përkatëse. Sanksionimi nga ana e Institucionit apo ojq-ve është me largim nga puna, me dëbim të shkelësit të normativës, ndërsa sipas akteve normative të shtetit, mund të sanksionohen me burgim, me kusht, apo në të holla!
Nuk ka shtet normal në botë që e lejon marrjen e pushtetit të institucionit apo ojq-ve përmes falsifikimit, përmes gënjeshtrës, përmes amnestisë së vetëvetes nga përgjegjësia duke e neutralizuar të parin të cilit i kanë shërbyer me vite e vite, si Shaqir Fetai.
Kushtetuta e BFI-së parasheh që të paktën një herë në vit të mblidhet Kuvendi si dhe Rijaseti dhe të debatojnë e të miratojnë buxhet si dhe t’i miratojnë llogaritë përfundimtare, të debatojnë dhe të zbulojnë anomali që me votim të përgjithshëm duhet të sanksionohen, të propozojnë e të ofrojnë projekte për miratim që do të jenë në të mirë të avancimit të jetës fetare islame, të propozojnë dhe të miratojnë themelime të institucioneve dhe të sektoreve. Nëse Sulejman Rexhepi, ish-reisi shkarkohet nga Shaqir Fetai se ky paska shkelur nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së, atëherë, çfarë kanë bërë anëtarët e Rijasetit nëpër mbledhje të tilla? E kanë duartrokitur? I kanë dhënë miratimin? Përkrahjen? Solidarizimin për ta “dëshmuar unitetin” e organeve më të larta të BFI-së? Ky solidarizim eventual në shkeljen e këtij Neni është vetëm krim dhe asgjë tjetër. Për krimin nuk jep përgjegjësi vetëm ekzekutori por, edhe propozuesi, miratuesi, pjesëmarrësi, bashkëpunëtori…
Po si u gjet bashkëpunëtori më i gjatë dhe më i ngushtë i Sulejma Rexhepit, Shaqir Fetai, që ta injorojë Kushtetutën dhe, në vend se të ndëshkohet, ai ta kapë timonin drejtues të “anies” që Shaqir Fetai konstaton se, kohëve të fundit, po rrezikonte të fundoset! Nëse Shaqir Fetai ka konstatutar se Sulejman Rexhepi po e fundos “anijen”, (BFI-ja fundoset duke vjedhur, duke uzurpuar, duke korruptuar, duke e ushtruar nepotizmin, krimin etj.), pse këtë rrezik Shaqir Fetai nuk e paraqiti fillimisht në organet e BFI-së, në opinion e pastaj edhe në polici si dhe në organet e drejtësisë? Pse të marrë guxim Shaqir Fetai dhe të veprojë ngjashëm si paraardhësi i tij që paska shkelur nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së?
Shaqir Fetai e ka injoruar Kushtetutën dhe aktet e tjera normative të BFI-së, e ka injoruar Rijasetin dhe Kuvendin, jo se nuk e njeh Kushtetutën, jo se nuk i njeh statutet e institucioneve dhe asociacioneve të BFI-së, por, thjesht, sepse e pati urdhër nga LSDM-BDI, nga pushteti aktual (ashtu siç vërteton publikisht edhe vetë Sulejman Rexhepi), kurse Shaqir Fetai e ka profesion shpirtëror që t’i zbatoj me ndershmërinë më të madhe të gjitha urdhërat e pushtetit, madje që nga viti 1983 kur për këtë profesion u stërvit mirë e fortë nga UDB-ja serbo-jugosllave.
Pra, Afrim Tahiri nuk guxon as të mendojë se Shaqir Fetai dhe soji i tij nuk e dinë Kushtetutën, madje mund ta dijë përmendsh, sepse i duhet të referojë te shërbimet intelegjente se si është e organizuar Institucioni ku ai e kamuflon profesionin e spiunimit. Shaqir Fetai i kreu të gjitha shkeljet kushtetutare dhe aktet e ndryshme normative të BFI-së sepse këtë ia sugjeruan LSDM-BDI si dhe UDB-ja me qëllim që premtimi i tyre të bëhet lehtësisht i realizueshëm. E ata i kishin pas premtuar se do ta bëjnë “reis”! Asnjë mysliman në vend nuk ka nevojë për një “reis” udb-e, e as për “reis” të pushtetit antiislamist. Vetëm Shaqir Fetai, po! Së këndejmi, ai ka fuqinë që të bëjë çfarë t’i dojë zemra dhe jo se është injorant dhe nuk e di Kushtetutën. Deri te veprimet e tij të pista, ai ka nevojë edhe që të “pranohet zyrtarisht”, prandaj i porositë këto vizita, këto urime e përshëndetje. Hajt se, shumë shpejt keni për t’ia dëgju këngën “pticopjevaçit”!

Leave a Reply