Sa përmes projekteve politike, si “Open Ballkan” e ndonjë të ngjashëm, mund ta mashtrojmë botën që të na përkrahin në proceset eurointegruese? Si i duhemi botës? Si na njeh bota? I duhemi botës si të “shkathët” në politikë! Sa ka nevojë bota për politikat shqiptare, të cilat assesi të dalin nga vorbulla e korrupsionit, e krimit, e kapjes së shtetit, politika që nuk kanë vizione, nuk janë shpresëdhënëse, nuk janë shtet-ndërtuese, as zhvilluese të kombit! Insistimi i vazhdueshëm i BE-së që të bëjmë reforma, kushtëzimi i BE-së për eurointegrimet tona me reforma të rrënjësishme flet se kulturalisht kemi probleme të mëdha dhe kjo ekskluzivisht për shkak të politikave tona bajate në nivel kombëtar.
Populli shqiptar ka shumë vlera. Në gjirin e vet ka shumë talente që i duhen botës, ka artistë, humanistë, ka kualitete që i mungojnë mozaikut kulturor evropian! Fatkeqësisht, ndonëse i duhemi tepër shumë Evropës për ta përplotësuar atë “pazëll” të identitetit kulturor evropian, bota sikur më tepër na njeh si dilerë të drogës, kriminelë, menaxhues të prostitucionit etj! Vlerat shqiptare që kanë dalë nëpër shtete evropiane më tepër konsiderohen si kualitete të kultivuara nga institucionet shtetërore ku jetojnë dhe veprojnë! Gjithçka e keqe, e shëmtuar dhe imorale, llogaritet se vjen nga Shqipëria apo nga Kosova, por edhe nga viset e tjera shqiptare. Pse?
Sepse na mungon vizioni kombëtar bazuar në ndonjë strategji akademike kombëtare për t’iu imponuar botës si komb me vlera të larta kulturore! Më tepër është “i bindur” Perëndimi në vlerat tona kombëtare se sa që kemi bërë ne si komb-shtet për t’iu imponuar botës me vlerat tona!
Imponimi i shteteve tona me vlera kombëtare do t’i margjinalizonte të gjitha veprimet e mbrapshta që i kryejnë shqiptarët nëpër botë, nuk do të ishin këta pasqyrë e kombit tonë, por do të ishin artistët e gjithmbarshëm që do t’i mahnitnin qytetarët evropianë me performansat e tyre. Në të gjitha fushat e artit kemi se çfarë t’i tregojmë botës, kemi një terren tepër shumë të pasur me vlera arkeologjike të zbuluar e të pazbuluar, një trashëgimi të begatë kulturore! I kemi edhe institucionet tona kulturore nacionale! Prej menaxhuesve të këtyre institucioneve duhet të kërkohet të vrapojnë pas politikave të larta kulturore dhe t’i kultivojnë ato! Nuk duhet të jenë vetëm sa për një-dy-tre performansa, për dy-tri shfaqje, për dy-tre ekspozita, për dy-tre koncerte, sa për t’ia përmbushur kalendarin e aktiviteteve partiake menaxhuesit të ministrisë së kulturës.
Vlerat kulturore evropiane duhet të gëlojnë nëpër qendrat shqiptare. Natyrisht, janë të kushtueshme, por jo më shumë se dy-tre tenderë që vidhen nga militanti partiak! Duke i sjellë vlerat kulturore evropiane në shtëpi, institucionet nacionale kulturore ia arrijnë që përmes tyre, të gjejnë shtigje alternative për të depërtuar në qendrat evropiane dhe për ta mahnitur edhe komunitetin politikbërës me vlerat e pakontestueshme të një shoqërie që edhe më tej po mbahet larg proceseve eurointegruese si pasojë e përshtypjes së shtrembëruar për shqiptarët si popull azilkërkues, problematik, i rrugëve të këqija etj!
Evropa është e stërngarkuar me politikanë gjenialë, ndaj dhe as që i duhen politikanët tanë “të shkathët”! Evropës i duhen vlerat e larta kulturore, të cilat, pa asnjë dyshim, janë dhe gëlojnë në mesin e shqiptarëve kudo ku jetojnë ata! Individët imoralë janë ata që na turpërojnë, por politikat e larta kombëtare duhet të jenë ata që të na bëjnë të ndjehemi krenar! Për momentin, ndjehemi shumë të turpëruar! Njerëzit e kulturës edhe më tej po mbahen nëpër “dhoma gazi” të pushtetarëve tanë! Kurse, siç thoshte i madhi Faik Konica: “Për mungese kulture, besimet, ashtu si dhe idetë, vdesin”! /HEJZA/
Po debati për kulturën!
Midis nesh Pluralizimi politik tregoi se një nga preferencat më tërheqëse në shoqërinë shqiptare është politika, e cila nuk u…