Kultura si mënyrë punësimi dhe përfitimi

Midis nesh

Në shtetet në tranzicion kultura edhe më tej trajtohet si sektor që e gllabëron padhimbshëm buxhetin shtetëror! Këtë logjikë e kanë krijuar dhe akoma e ushqejnë sidomos institucionet kulturore që habitshëm mrizojnë në pasivitetin e tyre, duke mos ia dala që të vetëfinancjnë qoftë edhe ndonjë projekt minor!
Shoqëria jonë assesi ta kuptojë se kultura, në shtetet e civilizuara, tashmë është një mundësi punësimi dhe përfitimi. Te ne, edhe sot e kësaj dite, asnjë nga institucionet kulturore nuk projekton përfshirjen e të rinjve, qoftë në mënyrë vullnetare, nëpër projekte të parapara në programet kulturore vjetore. Për të rinjtë përfitim është edhe krijimi i kontakteve, mësimi, njohja me gjëra të reja, përvoja, si dhe rritja e mundësive për punësim më të lehtë në të ardhshmen! Kultura është një fushë shumë e gjerë që ngërthen veprimtari të ndryshme! Fatkeqësisht, prindërit sot janë më të prirë të investojnë për fëmijët e tyre, për shembull, në degën e dizjanit dhe interierit të brendshëm, për kreator, grimer, se sa në mësimin e zejeve të vjetra: tezgjah, punimin e plisave, të veshjeve nacionale, në poçeri etj.
Në perëndim gjithnjë e më shumë po shfaqen firma të ndryshme të cilët po shprehin interesim të madh për të investuar në art. Shumë të rinj po imponohen me idetë e tyre që janë në harmoni me dëshirën e pronarëve që firmat e tyre ta rrisin imazhin përmes artit (qoftë përmes dizajnit grafik, apo edhe përmes teatralitetit në prezantimin reklamues të produkteve të tyre).
Teatrot tona edhe më tej skenografinë e kuptojnë si punë të realizueshme nga kushdo qoftë dhe jo si art kreativ, kurse menaxhuesit e teatrove, këshillat, sugjerimet apo idetë e artistëve kreativë në fushën e skenografisë i presin gratis!
Tërë kjo dukuri flet se shoqërisë sonë nuk i intereson përfshirja sa më e gjerë e të rinjve në veprimtari kulturore. Prandaj, të rinjtë tanë sot më tepër janë të gatshëm të shpenzojnë për një telefon celular se sa për një libër apo për një vepër arti! Prandaj, gjithnjë e më shumë përforcohet konstatimi se prej kulturës nuk jetohet!
Deri më sot, përjashto “Doku Festin”, nuk është dëgjuar që festivalet e ndryshme, manifestimet e shumta, të kenë përfshirë edhe të rinj të cilët janë paguar për punën e tyre! Nuk është dëgjuar që institucionet nacionale, në shfaqjen e programeve, nëpër qytete të ndryshme, si brenda vendit ashtu edhe jashtë, kanë angazhuar me honorar të rinj, të cilët, të paktën do të kishin rastin të njoftohen edhe me kulturën e vendeve që i vizitojnë. Të rinjtë e Kaçanikut, apo të Prishtinës as që dinë se cilët janë aktivitetet tradicionale kulturore që zhvillohen në Gjakovë apo në Prizren! Të rinjtë vlonjatë nuk ia kanë haberin se çfarë kulture zhvillohet në Mirditë! Të rinjtë e Shtipit apo të Strumicës nuk mund të besojnë assesi se në Tetovë apo Gostivar zhvillohen aktivitete kulturore të denja për të dalë (dhe që kanë dalë) në skena botërore!
Pra, koha është që politikat kulturore të favorizojnë edhe këtë segment – të kuptuarit e kulturës si mundësi punësimi dhe përfitimi. Në vazhdën e këtij angazhimi institucional, të përkrahen dhe të financohen fillimisht vetëm ato projekte që parashohin punësimin me honorar të të rinjve përgjatë realizimit të projektit. Me këtë do të shtohej edhe numri i atyre që dëshirojnë të merren me kulturë por edhe të japin për kulturë. Madje buxheti për honorarë dhe pagesa të tjera të mos financohet nga arka shtetërore por, ekskluzivisht nga të hyrat që janë akumuluar nga aktivitetet kulturo-artistike. Vetëm një “politikë kushtëzuese” e tillë do t’i zgjonte nga letargjia institucionet tona nacionale, ndërsa në masë do ta shtonte besimin se edhe nga kultura mund të jetohet, madje në mënyrë shumë të dinjitetshme! /HEJZA/

Leave a Reply