Midis nesh
Ndër ne ka shumë individë të dehur, jo nga alkooli, por nga vetëkënaqësia. Këta individë mendojnë dhe janë të bindur se bota rrotullohet rreth tyre, se janë të përsosur, se nuk bëjnë mëkate, se nuk e mashtrojnë askënd, përfshi edhe vetveten, se nuk dinë çfarë është intriga, hipokrizia, analfabetizmi, tradhtia, se jeta kulturore pa ta jo që do të ishte e varfër, por thjeshtë nuk do të ekzistonte.
Në këto tridhjetë vitet e fundit në hapësirat shqiptare u organizuan me qindra e qindra manifestime kulturore, të cilat jetuan dy apo tri vjet dhe pastaj u zhdukën (fatkeqësisht) edhe nga kujtesa. U organizuan pa koncept, pa analiza, thjeshtë te organizatorët e këtyre manifestimeve kulturore mbizotëroi bindja se është momenti i përfitimit të majmë. Por, u doli e kundërta.
Pati edhe të tilla manifestime, të cilat shërbyen për qëllime shumë të ulëta, me ambalazh tregtie. A ju kujtohet manifestimi “Imazhi kombëtar”, i cili, ndër të tjera, iu nda edhe disa individëve anonimë, të cilët gjithçka mund të ishin, ama imazh kombëtar assesi. Koha do të tregojë se imazhet e prapa perdeve është të ngjyrosura vetëm me të zezë.
Duhet pranuar si kapaciteti i produksionit kulturor të shqiptarëve akoma nuk është në përputhshmëri me numrin e manifestimet kulturore, sepse te këto të fundit, për shkak të numrit të madh, krijohen boshllëqe të shumta, të cilat pastaj plotësohen me vlera plehu. Dhe vetëm mund ta paramendojmë se çfarë mund të fitojmë nga këto të ashtuquajtura manifestime kulturore, të cilat jo rrallë herë na kanë bërë edhe të turpërohemi.
Është koha që të zgjohemi nga shtrati i mashtrimeve edhe në segmentin e kulturës. Është mirë të zgjohemi e të qëndrojmë para pasqyrës, së paku për t’u njoftuar me vetveten dhe të vërtetën. Dhe ndoshta do të bindemi se kultura bëhet nga njerëz të ditur, që kanë potencë intelektuale, që janë kreativ, që kanë përvojë artistike. Thjeshtë kulturën duhet ta bëjnë artistët, ata që dinë të na japin përjetim shpirtëror.
Vetëm në këtë mënyrë mund t’ia ndërrojmë rrjedhën fatit të kulturës sonë dhe ta kthejmë në normalitet dhe jo t’ua lëmë atyre, analfabetëve, të cilin, për fatin tonë të keqe, e kanë shndërruan jo vetëm në një lodër të thjeshtë, të cilën, për nevojat e tyre, e hedhin sa andej sa këndej, por edhe si një lloj “turli tavë” për nevojat e kuzhinës partiake…. /HEJZA/