“Kumanova”, polici maqedonas, letër prokurores speciale

Një pjesëtar i policisë maqedonase, që mori pjesë në aksionin policor të 9 dhe 10 majit në Kumanovë, ka kërkuar nga prokurorja speciale Katica Janeva që rasti “Lagjia e Trimave” të jetë i pari që të hetohet prej saj.

Përmes një letre të publikuar në mediat maqedonase, polici maqedonas, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me prokuroren, me qëllim që të zbardhet e vërteta për ngjarjet e Kumanovës.

Ai fajësoi pushtetin në Shkup se ka sakrifikuar pjesëtarë të njësive speciale në Lagjen e Trimave. Më tej në letrën e tij, oficeri shprehet i bindur se rasti ishte një skenar i përgatitur dhe kërkon që të zbulohen fajtorët e vërtetë për vrasjen e kolegëve të tij.

Nga ana tjetër, e përjavshmja në gjuhën maqedonase “Fokus”, në një shkrim të publikuar të premten thoshte se pjesëtarët e grupit të armatosur të arrestuar në aksionin e Kumanovës po përgatiten që në gjykatë të tregojnë të vërtetën për ngjarjet që i paraprinë luftimeve në Lagjen e Trimave, ku humbën jetën 22 persona, 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit.

Leave a Reply