Vrasja e kryetrafikantit të klandestinëve, opozita libiane akuzon Italinë

Një përplasje politike është verifikuar këtë të shtunë mes Italisë dhe Libisë, dikur dy vende me lidhje të forta ekonomike.

Shkak është bërë një reagim i qeverisë hije të Tripolit që ka bërë përgjegjëse direkte palën italiane për vrasjen e kryebosit të trafikut të qënieve njerëzore nga Lindja e Mesme drejt Evropës.

Salah Al Maskhout, në krye të një milicie të armatosur dhe i konsideruar nga mediat libiane si bosi i skafistëve, u ekzekutua një natë më parë në Tripoli nga një grup personash të armatosur, që nga mënyra e veprimit konsiderohen profesionistë.

Presidenti i Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar, Nuri Abu Sahmainsay, që drejton një qeveri paralele në opozitë, ka akuzuar “forcat speciale italiane” për këtë vrasje.

Ndërkohë, mediat libiane, të cilat më herët raportuan për ekzekutimin e Maskhout, shkruajnë edhe për lidhje të bosit të trafikut me vetë kreun e Kongresit.

Nuk ka munguar ndërkohë reagimi i Romës zyrtare. Ministria e Jashtme e Italisë dhe ajo e Mbrojtjes kanë mohuar përfshirjen e ushtarakëve italianë në këtë vrasje.

Një përgënjeshtrim ka ardhur edhe nga shërbimet sekrete. “Në Libi nuk janë në zhvillim aktivitete të këtij lloji dhe kjo për faktin se ky vend nuk është pjesë e perimetrit operativ të agjentëve tanë”, thuhet në një komunikatë të cituar nga agjencia e lajmeve “ANSA”.

Al Maskhout, i kërkuar në Itali për akuza të lidhura me trafikun e qënieve njerëzore, mbeti i vrarë bashkë me 8 truprojat, sapo kishte dalë nga një banesë e tij në afërsi të Qendrës Mjekësore të Tripolit.

Mediat libiane shkruajnë se truprojat e tij ishin të armatosur me kallashnikovë, ndërkohë që vrasësit e tij përdorën armë të kalibrit të vogël.

Ditën e premte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të BE, Federica Mogherini deklaroi se operacionet taktike kundër trafikantëve do të fillojnë më 7 tetor.

Manovrat përfshijnë angazhimin e luftanijeve italiane dhe britanike, që aktualisht janë të përfshira në operacione trajnimi, në përballjen me mjetet lundruese të trafikantëve në det.

Këto manovra janë konsideruar si të rrezikshme nga grupet e të drejtave të njeriut me argumentin se mund të cënojnë jetët e refugjatëve, por Mogherini tha se, trafikantët duhen ndalur me çdo kusht.

Leave a Reply