PD: Veliaj ka ushtruar dhunë ndaj punonjëses së bashkisë

Lidhja Demokratike e Gruas, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike protestuan sot para Bashkisë kundër dhunës së ushtruar sipas tyre nga kryetari Erion Veliaj dhe stafi i tij ndaj punonjëses Violeta Geca.

Sipas PD-së, kryefamiljarja Geca u pushua nga puna dhe në përpjekje për t’u ankuar tek Erion Veliaj, ajo u kërcënua e më pas u dhunua fizikisht nga ai vetë dhe stafi i kabinetit. Zonja Geca tha se sot denoncon publikisht dhunën që ka pësuar jo vetëm moralisht dhe piskologjikisht, por mbi të gjitha fizikisht nga stafi dhe kryetari Veliaj.

“I shkova për t’i kërkuar të vinte dorë në zemër dhe të më ndihmonte, por ai nuk e bëri. Situata degradoi në një dhunë fizike të paparë, ndërkohë që unë i kërkova ndihmë, ai më goditi dhe më përzuri nga zyra. Kjo është e tmerrshme për një grua, që të shkosh në shtëpi e dhunuar nga eprori yt, të cilit shumë gra i kanë dhënë votën, e kemi besuar se ai mund të na mbështesë dhe të na ndihmojë”, tha Geca gjatë protestës që u bë në hyrjen e Bashkisë.

Deputetja demokrate Albana Vokshi i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimin penal për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i denoncuar për dhunën e ushtruar ndaj punonjëses së tij.

“Për ne nënat dhe vajzat është rrënqethëse dhe tronditëse dhuna e ushtruar ndaj punonjëses kryefamiljare. Erion Veliaj, ish-ministri përgjegjës për barazinë gjinore duhet të shkojë në burg, pasi denoncohet për dhunë ndaj grave, vepër penale e sanksionuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, që dënohet deri në 5 vite burg. Ndërkohë, neni 50 përjashton nga e drejta për të kërkuar liri me kusht apo dënime alternative për personat që ushtrojnë dhunë ndaj grave për arsye politike”, tha Vokshi.

Leave a Reply