Masakra të tmerrshme janë kryer në Kosovë, disa nga këto krime dihet edhe kush i ka kryer. Autorët të pandëshkuar.
Krim i tmerrshëm ishte kryer me 15 janar të viti 1999 në fshatin Reçak.
Mbi 40 persona u masakruan në mënyrën më mizore të mundshme, nga paramilitarët serb.
E kjo ngjarje u kthye edhe një herë në vëmendje të publikut, kur zyrtar të lart të Serbisë, mohuan se një krim i tillë kishte ndodhur.
Kjo gjë nxiti reagime të ashpra në Kosovë, e nuk munguan as reagimet nga ambasadat e huaj, Bashkimi Evropian ndërsa reagoi edhe UNMIK.
Të gjithë bënë thirrje që e kaluara të mos shtrembërohet.
E deri sa varret viktimave të masakrës së Reçakut u dihen, duket se edhe disa nga autorët nuk janë të panjohur për institucionet e Kosovës.
Madje Jetlir Zyberaj, që është këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë Behgjet Pacolli publikoi një numër dokumentesh, që sipas tij janë autorët e masakrës që tronditi gjithë botën.
Ai zbuloi identitetin e disa personave.
Bazuar në këto të dhëna, në kryerjen e kësaj masakre ka marr pjesë Bogdan Nojtic.
Por, ky nuk është i vetmi.
Gjithashtu janë publikuar edhe të dhëna për Momcillo Marinokvic, Slavisa Stakic, Sreten Gligorojevic, Oran Ndeljkoviq e Cedomir Aksic.
Gjithashtu janë publikuar të dhënat e edhe disa serbëve të tjerë që kanë marr pjesë në kryerjen e kësaj masakre, ndërsa të gjithë fshihen në Serbi.
E masakër e tmerrshme ishte kryer edhe në Burgun e Dubravës.
Atje në prill të vitit 1999 u vranë e masakruan brutalisht 124 shqiptar që po mbaheshin në Burg, ndërsa u plagosen edhe 200 të tjerë.
Edhe për këtë rast vet Shoqata e të Burgosurve Politik, kishte dorëzuar një Kallëzim Penal, në ish Prokurorin e Qarkut në Pejë.
Aty janë listuar emrat e 32 serbëve që kanë marr pjesë në kryerjen e kësaj masakre.
Madje në foto është paraqitur edhe komandantit i Burgut të Dubravës në atë kohë, Miodrag Mikic i njohur me nofkën Miki.
Pos kësaj, janë listuar edhe të bëmat e tij.
Ka zbatuar urdhërat e drejtorit të burgut Aleksandër Rekoqeviq për përgatitjen e skenarit të masakrës së Dubravës, ka përgatitur skenarin e masakrës së Dubravës dhe nga data 16 maj deri me 24 maj 1999 ka urdhëruar gardianët dhe burgosurit serb në burgun e Dubravës, për vrasje, torturim dhe keqtrajtim si k vrarë vet me dorën e tij.
Emër që spikat në këtë Kallëzim Penal, është edhe Branko Komatina.
Madje ai dyshohet se ka marr pjesë në zhdukjen e veprimtarit të cështjes kombëtare, Ukshin Hotiti. Komatina e kishte shoqëruar Hotin në ditën kur kishte përfunduar dënimin me burgim prej 5 vitesh dhe nga 16 maji i viti 1999 nuk dihet më asgjë për fatin e tij.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme duket se ka mbledhur fakte rreth kryesve të këtyre krimeve.
Sipas Jetlir Zyberajt, janë grumbulluar një numër i madh dokumentesh të patrajtuara nga drejtësia ndërkombëtare.
“Mbledhja e dokumenteve dhe materialeve të tjera të rëndësishme që tregojnë barbarinë e Serbisë ka qenë një element kryesor i punës. Rreth 10 mijë faqe dokumente dhe prova janë gjetur që nuk janë trajtuar ende nga drejtësia ndërkombëtare. Për shkak se ata dështuan ne duhet të vazhdojmë dhe të ndjekim kriminelët e luftës”, thotë Jetlir Zyberaj, Këshilltar i ministrit të punëve të jashtme Behgjet Pacollit.
Gjithë këto dokumente prite ti dorëzohen Prokurorisë Speciale të Kosovës, që tani ka në mandat ndjekjen e Krimeve të Luftës.