Midis nesh
Bashkësia Evropiane për të gjithë ato struktura që bëjnë politikë apo që hartojnë strategji nacionale për zhvillime të politikave shtetërore, sidomos për shtetet kandidate për inkuadrim në BE, ka përcaktuar kritere të qarta! Në sferën e kulturës vlen: “Detyrë e qeverisë është që në kulturë të sigurojë kushte dhe pastaj të tërhiqet mënjanë”!
Qeveritë e rajonit, me recidiva të pushteteve diktatorial, në këtë postulat gjetën terrenin për manipulim! Nisën të premtojnë kushte për kulturë, duke aluduar në infrastrukturë për zhvillime kulturore, ndërsa kushtet për artistë e krijues janë nga më primitivet e mundshme! Artistë që rrihen nga pushteti për shkak të “rebelimeve” kundër politika të pushtetit, artistë që nënçmohen, që u shkelet dinjiteti; artistë e krijues që partizohen e degradohen duke i caktuar nëpër pozita përçmuese partiake e shtetërore; artistë e krijues që detyrohen t’u nënshtrohen praktikave të korrupsionit e të hajnisë nëse dëshirojnë të përfitojnë numër “më të madh” të aktiviteteve kulturore. Kujt i duhen kushtet kulturore pa liri krijuese e artistike.
Qeveritë e rajonit, me recidiva të pushteteve diktatorial me gjasë i kanë bërë llogaritë e veta dhe, kanë ardhur në përfundim se, më lehtë do t’ia kalojnë sikur të bëjnë “kushte” për artistë se sa kushte për zhvillime kulturore! Dhe kjo llogari nuk shkon në fuqizimin e dinjitetit dhe integritetit të artistit, krijuesit, kulturologut, por në përmirësimin e “imazhit intelektual” të partisë apo të pushtetit! Investimet janë më të vogla, madje mund të këmbehen edhe me pozita në pushtet, por edhe me kërcënime nga pushteti! Ata artistë e krijues që nuk nënshtrohen, krihen nga revizionet shtetërore! Pushteti e ka më të lehtë t’i poshtërojë artistët e krijuesit se sa ta poshtërojë vete!
Qeveritë e rajonit, me recidiva të pushteteve diktatorial, institucionet nacionale kulturore i përceptojnë si “institucione të pushtetit”, madje edhe më keq, sillen ndaj këtyre institucioneve sikur ndaj organeve partiake! Në këtë segment zhvishet tërësisht “serioziteti” i pushteteve post-komuniste për sa i përket zbatimit të kriterit që kërkohet nga BE-ja! Përpjekjet për të dozuar dhe dirigjuar me kulturën nga ana e pushtetit, në fakt do të thotë ikje nga BE-ja! Kultura në BE është “fe” më vete, e paprekshme, e padozuar, e pashtrembëruar dhe e papersonalizuar!
Nëse nga të gjitha resorët e tjera (ushtarake, shëndetësore, bujqësore, arsimore etj.) njeriu siguron lirinë dhe jetën, që të dyja këto ia dedikon kulturës! Vetëm një subjekt i pamoralshëm, jo i kulturuar, lejon dhe investon në keqpërdorimin e kulturës. Këtë dukuri e përjetoi një dekadë të tërë shoqëria në Maqedoninë e Veriut në kohën e VMRO-së së Gruevskit! Po kjo politikë kulturore, paksa më e sofistikuar, po ndodhë edhe në Shqipërinë! Në mënyrë edhe “më barbare” po ndodhë në Kosovë, madje që nga çlirimi i saj e këndej! Shtet e komb pa objektin e filarmonisë së vet, pa objektin e operës dhe baletit, pa objektin bashkëkohor të teatrit nacional, pa objektin bashkëkohor të galerisë nacionale, me investime qesharake në trashëgiminë kulturore, në muzeume, në lëmin e arkeologjisë etj.
Po, qeveritë e kanë për detyrë që të krijojnë kushte për zhvillim kulturor, pastaj të krijojnë kushte për krijues e artistë dhe jo të rrinë manash si qypa, por në çdo moment të jenë të gatshme që “të përkulen” para kulturëdashësve. Ky po që është kushti themelor për zhvillim të gjithmbarshëm kulturore/HEJZA/