Kuvend, s’ka marrëveshje mes partive politike për seancat e mbetura

As takimi i liderëve mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit dhe as koordinimet e stërzgjatura në Kuvend nuk arritën të sigurojnë vijimin normal të punës së ligjvënësit. Për shumë nga seancat e mbetura në gjysmë, në ligjet në procedurë dhe mijëra amendamentet nëpër komisione, partitë nuk kanë zgjidhje. Në agjendën e Kuvendit për momentin është vetëm vazhdimi i seancës së 30 e cila është hapur më 18 janar. Vetëm brenda kësaj seance, për dhjetëra pika të rendit të ditës debati s’ka filluar akoma dhe për dhjetëra të tjera procedura ka ngecur në komisione.

Alsat kontaktoi me grupet parlamentare. Deputetët konfirmuan se deri tani nuk ka marrëveshje për vijimin e funksionimit normal të Kuvendit dhe se nuk dihej fati i seancave të mbetura në gjysmë.

Sipas informacioneve në faqen zyrtare të Kuvendit, nga 38 seanca të hapura deri tani, 18 janë të papërfunduara. Shtatë prej tyre janë seanca që janë hapur që në muajin gusht, disa ditë pas konstituimit të Kuvendit. Bllokimi kryesisht vjen si pasojë e mosmarrëveshjeve politike por edhe nga neglizhenca e deputetëve ndaj detyrimit që kanë për punën në Komisione. Mosshqyrtimi në kohë i propozim-ligjeve në komisione prolongon edhe seancat plenare. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Edhe pse pushteti dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën për këtë problem, gjendja është e njëjtë në të dy blloqet. Më e vjetra nga seancat e papërfunduar akoma të komisioneve, është seanca e parë e Komisionit hetues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve e thirrur fillimisht më 22 tetor 2020. Kryetar i saj është deputeti i opozitës Halil Snopçe. Nuk është përfunduar akoma as seanca e Komisionit për financa dhe buxhet nga 13 nëntori 2020. Edhe me atë drejton deputeti i opozitës Timço Mucunski. E papërfunduar akoma është seanca e 14 dhjetorit e Komisionit për zgjedhje dhe emërime e drejtuar nga deputeti i shumicës Kostadin Kostadinov dhe ajo e 7 dhjetorit e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, po ashtu e drejtuar nga deputetja e shumicës Sonja Mirakovska, si dhe dhjetëra seanca të tjerë./Alsat

Leave a Reply