Letër nga Tetova – MARRËVESHJA E OHRIT PA FRYMË KULTURORE?!

A u kërkua ndonjëherë interpretimi autentik i Marrëveshjes së Ohrit edhe nga këndi kulturor, apo qëllimi i këtij Dokumenti ishte vetëm institucionalizimi i punësimeve të militantëve partiakë në administratën shtetërore dhe në atë publike? A pati impakt kjo Marrëveshje edhe në jetën kulturore, apo synimi ishte eksluzivisht politik në sferën e një “përfaqësimi adekuat” në administratë, i cili do të realizohej nga ndonjë subjekt politik që do të themelohej nga luftëtarët që pas nënshkrimit të Dokumentit do të çarmatosen duke ngelur rrugëve, nën përcjelljen dhe përndjekjen “si shtriga” nga pushtetet maqedonase.

Mbi këtë Marrëveshje asnjëherë nuk pati qasje nga një këndvështrim kulturor, sepse asnjëherë nuk pati ndërhyrje dhe nxitje nga artistët, nga njerëzit e kulturës që i shërbenin politikës. Ky komunitet, fatkeqësisht, u gjunjëzua dhe, në vend se të imponohej dhe të impenjohej në politikë, nisi t’i shërbejë “politikanëve”! Ishte një periudhë kur pati përpjekje nga ana e artistëve që të kyçen në politikë për kulturë! Ishte një hap gjigant ky i kërkuar dhe i përkrahur nga i ndjeri Arbën Xhaferi. Në periudhën në mes të vitit 2006-2008 (dy vite qeverisje VMRO-PDSH) u themeluan disa institucione nacionale kulturore, si: Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore, Galeria e Arteve në Tetovë, Teatri Shqiptar në Tetovë, Qendra për Konservim në Gostivar. Ky sukses i padiskutueshëm në sferën e kulturës nuk u bë se u diktua nga “Marrëveshja e Ohrit”, por thjeshtë nga inatet politike: “të përkrah një projekt nacional tëndin, më përkrah një projekt nacional timin”! Pra, vetëdija kulturore vinte si zgjim nga ushtimat e inateve politike brenda koalicionit qeveritar!
Pa dyshim, politika nuk dinte, artistët nisën t’iu shërbejnë politikanëve rishtarë ndaj dhe asnjëherë nuk pati iniciativa që në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit të ketë drejtori të veçantë që do t’i listonte të gjitha kërkesat për kulturë institucionale si dhe për zhvillim të jetës kulturore. Ky Sekretariat pati “buxhet” vetëm për punësime dhe përfaqësim adekuat në administratën shtetërore, kurse nuk pati asnjëherë për kulturë shqiptare që do të duhej të institucionalizohej ashtu siç pati përpjekje permanente për zyrtarizimin e gjuhës së 20 % të popujve që flasin gjuhë tjetër dhe që përdorin alfabet tjetër, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik!
Ndërsa një prej politikanëve më të spikatur maqedonas (Vllado Popovski) thoshte se Marrëveshja e Ohrit, përkundër barazisë në sferën publike në institucionet, nënkupton në të njëjtën kohë edhe detyrim i pushtetit publik të qëndrojë pas të drejtave kulturore nacionale dhe t’i garantojë ato, do të thotë të mos ketë diskriminim në raport me përdorimin e gjuhës, kulturës, traditës, feve etj. Por, sa e kuptuan këtë fakt të pamohueshëm politikanët tanë që, kur të vije momenti i formimit të qeverive, këmbët i thyejnë duke u ngutur për t’u futur brenda! E paskemi marrë Korridorin 8! Politikani normal dhe mendjendritur do të hiqte dorë nga dhjetëra korridore, duke siguruar të gjitha institucionet nacionale kulturore edhe për shqiptarët siç i kanë maqedonasit!
Sot, që nga viti 2019, ky Sekretariat nuk ekziston më, është shuar në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive! Se si u lejua që të mbyllen të gjithë kapitujt e këtij Dokument, të arkivohet ai bashkë me mbylljen e një mal të drejtash për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kjo “nuk do të mësohet” asnjëherë! Të hiqet dorë prej të drejtave kulturore si dhe prej “përfaqësimit adekuat” në sferën e kulturës përmes themelimit të institucioneve nacionale shqiptare?! Sekretariati i deridjeshëm asnjëherë nuk motivoi dhe nuk stimuloi themelimin e institucioneve të pavarur të kulturës, nuk u siguroi qasje në resurse publike, hapësira për zhvillim të veprimtarisë kulturore (po, ish-kryetari i Çairit, z. Izet Mexhiti, i siguroi selinë dhe sallën për ushtrime Ansamblit “Ibe Palikuqi”), në hartime të kornizave ligjore, në vendimmarrje etj. Askush nuk garanton avancim të të drejtave kulturore shqiptare dhe as nuk kërkon llogari për zhvillim apo degradim kulturor! Bëhen “aktivitete kulturore” sporadike, sa për t’ua kënaqur syrin politikanëve e për t’i kujtuar ata se “sa shumë bëjnë për kulturën shqiptare”! Mashtrim optik, asgjë tjetër! /HEJZA/

Leave a Reply