Partia opozitare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e ka akuzuar kryeministrin Nikolla Gruevski dhe partinë e tij VMRO-DPMNE, se po shkelin marrëveshjen e 2 Qershorit pasi frikësohen, se zbatimi i saj në praktikë do të zbulojë krimin e tyre gjatë qeverisjes me vendin.
“Marrëveshja është jashtë funksionit nga momenti kur atë e shkeli VMRO-DPMNE-ja, duke penguar kompletimin e stafit të prokurores speciale. A do të përfundojë Maqedonia si Bjellorusia, ose do të vazhdojë drejt integrimit në BE dhe NATO? Kjo varet nga Nikolla Gruevski”, ka deklaruar Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
Në një konferencë për shtyp, Shilegov ka publikuar disa dokumente për të cilat tha se dëshmojnë që vetëm gjatë vitit 2014, VMRO-DPMNE ka blerë në mënyrë të paligjshme mbi 63 objekte nëpër gjithë vendin.
“VMRO-DPMNE dhe funksionarët e saj, me pak para kanë blerë shumë prona. Është e qartë se gjatë plaçkitjes së shtetit nuk është pasuruar vetëm familja e Gruevskit, por edhe partia”, ka vijuar zëdhënësi.
Por, partia maqedonase në pushtet ka hedhur poshtë akuzat e LSDM-së. Nga VMRO-DPMNE kanë sqaruar se, të gjitha objektet janë blerë në mënyrë të ligjshme.
Sa i përket bllokimit të negociatave për zbatimin e marrëveshjes së 2 Qershorit, partia e kryeministrit Gruevski ka akuzuar opozitën maqedonase.