Nëse nuk fiton BDI-ja shkarkohet Shaqir Fetai. Vjen i LSDM-së

Shaqir Fetai ka nisur t’i numërojë ditët e veta së qenuri instalacion e qeverisë maqedonase në krye të BFI-së! Stacioni i fundit i tij do të jenë zgjedhjet lokale që pritet të mbahen pas gati dy muaj! Në zgjedhjet e fundit, Shaqir Fetai dështoi, madje në katundin e vet, nuk i solli pritshmëritë e atyreve që e instaluan. Është shumë i ndërgjegjshëm se po i vie fundi. Tik-tak

Shkruan Ilir R. Topi

Se shteti është ulur këmbëkryq në kolltukun e BFI-së, se pushteti politik i ka të futur duart deri në bërryla në organizmin e jetës fetare islame në vend, këtë më së miri e dëshmon rasti i Shaqir Fetait.
Shaqir Fetain pushteti maqedonas e solli “në pushtet” pak javë para se të mbaheshin zgjedhjet e fundit parlamentare. Shaqir Fetai u instalua politikisht në krye të BFI-së më 27 maj të vitit 2020, kurse zgjedhjet parlamentare u mbajtën në mes të muajit korrit të po të njëjtit vit. Ndonëse, në bazë të premtimeve megalomane të Shaqir Fetait, prishmëritë ishin optimale, megjithatë, “instalaconi” humbi në katund të vet. Nuk ia falën tradhëtinë, ndonëse, në aparencë, e respektuan “si reis”! Pushteti ia fali këtë dështim, me arsyetim se, është shumë i ri në këtë post dhe se nuk ka arritur të ushtrojë ndikimin e tij të realtë.
Ndikimi real i Shaqir Fetait në opinionin e gjërë të myslimanëve të vendit nuk mund ta kalojë as 1%. Të kota paskan qenë 27 vitet e angazhimit të ish-reisul ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepit, për ta imponuar Shaqir Fetain si “hallkë” jetike e jetës fetare islame në Maqedonin e Veriut, kur, në çastin e fundit “Ura e Siratit” iu bë miliona herë më e hollë se fija e flokut! E refuzoi katundi i vet, Çegrani! Pse? Këtë më së miri e dinë vetë çegranasit lokalë!
Shaqir Fetai kohëve të fundit në mesin e hoxhallarrëve ka hedhur një rrenë të madhe! Mbase në ndonjë myftini minore do ta mbajë “premtimin” e vet, dy-tre imamëve respektivë do t’ua rrisë rrogat, por jo edhe të gjithë imamëve të Maqedonisë së Veriut siç po premton! Sepse, nuk është në tagrin e Shaqir Fetait, nuk është në duar të reisit ngritja apo zbritja e rrogave të imamëve! Është e kundërta – varësisht nga aktiviti i hoxhallarëve, varësisht nga angazhimi i myftinive si organe, varësisht nga kapaciteti menaxhues i drejtuesve të organeve dhe të institucioneve, rritet rroga e shërbimeve të Rijasetit dhe vetë “reisit” (nëse nuk e paguan shteti nga “buxheti i vet”!) Pra, nga aktiviteti i hoxhallarëve dhe i myftinisë si organ, akumulohet buxheti nëpër myftini, prej të cilave, një përqindje shkon për anëtarët dhe shërbimet profesionale të pushtetit, një përqindje tjetër për institucionet arsimore të BFI-së dhe, pjesa tjetër, ngelë në myftini, buxhet ky që mund të diktojë rritjen (ose edhe zvogëlimin!) e rrogave të imamëve.
Megjithatë, Shaqir Fetai ka vendosur “t’ua rrisë” rrogat imamlerëve! Sepse, thotë që ka buxhet, sepse, thotë që ja, erdhi sekretari gjeneral i ligës arabe dhe, ka sjellë me thasë para! Kushti i vetëm për rritjen e rrogave është që ta ndihmojnë që të fitojnë partitë (LSDM-BDI) që e sollën në pushtet! Nëse nuk angazhohen të gjithë imamlerët e Maqedonisë së Veriut që ta bindin popullatën respektive që të votojë për këta dy parti të pushtetit aktual, atëherë, do të shkarkohet dhe nuk ka rritje të rrogave!
Në fakt ky është kushti i BDI-së që së fundmi ia kanë shqiptuar Shaqir Fetait: ose të angazhohet me të gjitha strukturat e BFI-së dhe të fitojnë, ose, Shaqir Fetain nuk e pret nëntori në krye të BFI-së.
Për këtë kushtëzim radikal dhe për këtë përzierje flagrante në BFI, BDI-ja është e deyruar, sepse edhe ajo është kushtëzuar nga LSDM-ja: herën e parë patëm mirësinë dhe e pranuam propozimin e juaj si BDI që ta instalojmë Shaqir Fetain në krye të BFI-së! Nëse edhe kësaj radhe humbim në katundin e tij, atëherë, ne si LSDM do ta instalojmë kandidatin tonë në BFI, duke e risjellë frymën e Rexhep Sulejmanin përmes figurës së tij, dekanit të FSHI-së, Shaban Sulejmanit! Ky është shpjegim dhe arsyetim i Shaqir Fetait për angazhimin e tij me të gjithë bashkëpunëtorët dhe imamlerët e vendit në taborrin e BDI-së
Pra, kjo është një lojë pistë e Shaqir Fetait dhe BDI-së – kërcënohen imamlerët si dhe strukturat e ndryshme të BFI-së: ose të ndihmojnë Shaqir Fetain e BDI-së në zgjedhjet e pritshme lokale, ose do të vie në krye të BFI-së instalaconi tjetër, Shaban Sulejmani i LSDM-së!
Kësisoj, Shaqir Fetai tashmë BFI-në e ka shndërruar në një poligon të ndëshkueshmërisë mesjetare! BFI-ja e ka patjetër që të angazhohet në fitoret e pushtetit. Po kur do të humbë pushteti dhe, në “vllast” të na vije opozita! A do të ngelë pa u ndëshkuar BFI-ja? Në çfarëdo varianti, më së keqi do të pësojë BFI-ja!
I vetmi shpëtim shihet në depolitizimin total të saj si dhe në injorim total të të gjitha strukturave që agazhohen për politikat ditore të pushteteve!
BFI-ja duhet të jetë opozitë e përjetshme e pushteteve dhe, mospërfillëse totale e opozitave! Ky është shpëtimi i BFI-së! Rrenat dhe synimet e Shaqir Fetait vetëmsa do ta përmbysin deri në shkatërrim total këtë Institucion të vetëm fetar islam në vend. Këtë brengë nuk e ka Shaqir Fetai! Halli i tij është si të fitojë LSDM-BDI! Sepse, e kërcënojnë edhe njëra edhe tjetra. Shaqir Fetai po përpiqet të kapet për një fije bari – të rrejë sa të mundet se, nga nëntori, imamlerëve të Maqedonisë së Veriut do t’ua rrisë rrogat. Mund ta realizojë këtë premtim nëse do t’i shesë arat e babës së vet dhe, jo, në asnjë mënyrë me bonat që mund t’ia ofrojë pushteti aktual në shenjë denacionalizimi të pronave sa për t’i shpenzuar në fushatat e veta partiake! Pra, para nga arabët nuk ka, sepse, nuk japin më në dorë, financojnë projekte në rrugë bankare! Para mund të ketë vetëm nga bonot në vlerë.
Shaqir Fetait i tërhiqet vërejtja (si vërejtje absolute e imamlerëve të vendit) që mos të abuzojë dhe mos t’i shpenzojë bonot në rroga. Sepse, për çdo bono të shpenzuar, nesër-pasnesër, do të ketë padi më vete. Pesha e BFI-së do t’i duket shumë e maaathe, e papërmballueshme, fundosëse!

Leave a Reply