Luftime të ashpra në Sievierodonetsk, 1.500 civilë të vdekur në qytet që nga fillimi i luftës

Luftime të ashpra kanë shpërthyer në rrugët e qytetit lindor të Ukrainës, Sievierodonetsk, ndërsa forcat e Kievit përpiqen të zmbrapsin sulmin rus.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e karakterizoi situatën si “jashtëzakonisht të vështirë”.

Në një fjalim televiziv, ai tha se për Rusinë marrja nën kontroll e Sievierodonetskit është “themelore” dhe tha se Ukraina po bënte gjithçka që mundej për të mbrojtur qytetin nga pushtimi rus.

Trupat ruse kanë hyrë në qytet, energjia dhe komunikimet janë ndërprerë dhe “qyteti është shkatërruar plotësisht”, tha kryetari i bashkisë së Sievierodonetskut, Oleksandr Striuk për agjencinë Associated Press në një intervistë telefonike.

“Numri i viktimave po rritet çdo orë, por ne nuk jemi në gjendje të numërojmë të vdekurit dhe të plagosurit mes luftimeve në rrugë”, tha kryebashkiaku.

Zoti Striuk tha se 12,000 deri në 13,000 civilë mbeten në qytetin që më parë kishte 100,000 banorë. Ata janë strehuar në bodrume dhe bunkerë për t’i shpëtuar sulmit rus.

Ai vlerëson se 1,500 civilë kanë vdekur në qytet që nga fillimi i luftës, nga sulmet ruse, si dhe nga mungesa e ilaçeve apo trajtimeve.

Sievierodonetsku, qendra e fundit e madhe e populluar nën kontrollin ukrainas në provincën lindore Luhansk, është bërë fokusi i sulmeve ruse ndërsa Moska përpiqet të kontrollojë rajonin e Donbasit pasi dështoi të rrëzojë zotin Zelensky ose të pushtojë kryeqytetin, Kiev, gjatë më shumë se tre muaj luftimesh. Sievierodonetsku është rreth 140 kilometra larg kufirit rus.

Guvernatori i Luhanskut Serhiy Haidai tha se trupat ruse “përdorin të njëjtat taktika pa pushim. Ata bombardojnë për disa orë – për tre, katër, pesë orë rresht dhe më pas sulmojnë. Ata që sulmojnë vdesin. Pastaj rifillon bombardimi dhe sulmet dhe kështu me radhë derisa të depërtojnë diku.”

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov i tha televizionit francez TF1 të dielën se “prioriteti i pakushtëzuar i Moskës është çlirimi i rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut”, duke thënë se Rusia i sheh ato si “shtete të pavarura”.

Leave a Reply