Iniciativa për shtyrjen e datës së shpërbërjes së Kuvendit, me caktimin e 5 qershorit si datë të mbajtjes së zgjedhjeve, është propozimi rreth të cilit në këto orë të fundit të ditës së martë intensivisht po negociohet ndërmjet ndërkombëtarëve dhe partive më të mëdha politike të Maqedonisë, kanë thënë burime diplomatike për mediat në Shkup.
Burimet e njëjta thonë se për opozitën kjo marrëveshje është e pranueshme, me kusht që qysh sonte të arrihet marrëveshja për rregullimin e medias.
Nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Socialdemokrate, thonë se kanë bërë kompromise të dukshme rreth kësaj çështjeje, ndërsa si moment kontestues ka mbetur përbërja e agjencisë së mediave.
Burime nga Kuvendi i Maqedonisë kanë thënë për mediat në Shkup se, si opcion për dalje nga kriza për momentin mbetet që, edhe po s’u pajtua LSDM-ja rreth zgjidhjes lidhur me mediat, tri partitë tjera parlamentare – VMRO-DPMNE, BDI dhe PDHE – të votojnë për anulimin e shpërbërjes së Parlamentit dhe hapjen e mundësisë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.