Një zyrtar i lartë izraelit tha se disa nga kërkesat e përfshira në propozimin e Hamasit për marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushimit nuk mund të përmbushen.
Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet izraelite do të diskutojnë nëse do të refuzojnë plotësisht propozimin e Hamasit ose do të kërkojnë kushte alternative.
Hamasi propozoi një plan për një armëpushim katër-mujor e gjysmë në Gaza që do të çonte në përfundimin e luftës, duke iu përgjigjur një propozimi të dërguar javën e kaluar nga ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Sipas një draft dokumenti, propozimi i Hamasit kërkon një armëpushim në tre faza, secila prej 45 ditësh.
Propozimi kërkon që Hamasi të shkëmbejë pengjet e mbetura izraelite me të burgosur palestinezë. Gjithashtu, do të fillonte rindërtimi i Gazës, do të tërhiqeshin plotësisht forcat izraelite si dhe do të shkëmbeheshin trupat dhe eshtrat.
Sipas Hamasit, të gjitha pengjet femra izraelite, meshkujt nën 19 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët do të lirohen gjatë fazës së parë 45-ditore, në këmbim të lirimit të grave dhe fëmijëve palestinezë nga burgjet izraelite.
Pengjet e mbetur meshkuj do të liroheshin gjatë fazës së dytë dhe pjesa tjetër do të shkëmbehej në fazën e tretë.
Deri në fund të fazës së tretë, Hamasi do të priste që palët të kishin arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.