Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, për marrëveshjen e arritur me CEZ.
“Referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementët e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ a.s, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 479 milionë euro”, thuhet në gjetjet e KLSH-së.
Dëmin e shkaktuar KLSH e ndan në tre zëra;
Së pari 95 milionë euro, që ishte shuma e dakortësuar që pala shqiptare derdhi për llogari të CEZ sh.a. si pjesë e ujdisë për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve.
Së dyti, 352 milionë euro dëm i shkaktuar nga detyrime financiare që CEZ sh.a. kishte ndaj shtetit shqiptar si pasojë e keqmenaxhimit 2009-2012, e që me anë të kësaj marrëveshjeje iu falën.
Së treti, 32 milionë euro zhvlerësimi i vlerës së 24 përqind të aksioneve të shtetit në kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Së bashku me ministrin Gjiknuri, është kallëzuar penalisht edhe Avokati që përfaqësonte interesat e shtetit shqiptar.
“Në këtë vlerë dëmi nuk janë llogaritur kostot shtesè që do duhet të përballohen nga vetë Shteti Shqiptar për rigjallërimin e sistemit energjetik dhe kthimin në parametra financiare normale të kësaj shoqërie publike. Bazuar në shkeljet e konstatuara me pasojë dëmin e sipërcituar KLSH me shkresën nr. 118/13, datë 12.10.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për Ministrin e MEI, Damian Gjiknuri dhe Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, Alma Hicka, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.
Marrëveshja mes Qeverisë shqiptare dhe CEZ-it u nënshkrua një vit pas ardhjes në pushtet të mazhorancës së majtë, e cila deklaronte në atë kohë se nënshkrimi i saj shmangu shkaktimin e një dëmi akoma më të madh në buxhetin e shtetit shqiptar nga një vendim i mundshëm i Arbitrazhit në favor të kompanisë CEZ.
Ujdia u arrit më 23 qershor të 2014-ës dhe pak pas kësaj kaloi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë duke u shndërruar në ligj.