Ligjet tejet liberale të armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara mendohet se janë një nga arsyet e masakrave që tronditën vendin fundjavën e kaluar. Ndërsa presidenti Donald Trump thotë se vëmendja duhet të shkojë te trajtimi i sëmundjeve mendore, dhe jo kufizimi i armëve, demokratët kërkojnë politika më rigoroze dhe akuzojnë rivalët për pasivitet.
Dy masakrat e fundjavës në Shtetet e Bashkuara pritet të ashpërsojnë ligjin për mbajtjen e armëve.
Një vrasje në masë në qytetin El Paso të Teksasit la të shtunën të paktën 20 të vrarë dhe 26 të plagosur brenda një qendre tregtare, ndërsa një ditë më pas gjakderdhja do të përsëritej në shtetin e Ohajos, ku në një klub nate do të humbisnin jetën nëntë veta.
Prokurorët e ngjarjes së parë thanë të dielën se do të kërkojnë dënimin me vdekje për autorin 21-vjeçar.
Ky i fundit dyshohet se e kreu krimin mbi bazat e racizmit për popullsinë latinoamerikane që jeton në vend, ndërsa motivet e autorit të dytë nuk janë bërë të njohura.
Duke shprehur ngushëllime për viktimat, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se po diskuton me FBI-në dhe anëtarë të Kongresit për të parandaluar ngjarjet e tilla.
Sipas tij, tema që duhet debatuar nuk është kriminalizimi i armëmbajtjes, por trajtimi i sëmundjeve të rënda mendore që bëhën shkak për masakrat.
Shtetet e Bashkuara besohet se kanë një nga numrat më të mëdhënj të vdekjeve nga armët e zjarrit pikërisht nga ligjet tepër liberale të armëmbajtjes.
Në tetë muajt e parë të vitit, nga 33,100 incidentet me armë, 8,700 rezultuan me pasoja fatale për jetën, dhe mbi 17 mijë plagosje.
Raportohet se shtetasit amerikanë aktualisht zotërojnë rreth 300 milionë armë zjarri, ose gati 1 për çdo familje.
Debati për armët pritet të marrë vëmendjen e fushatës presidenciale të vitit të ardhshëm, dhe thuajse të gjithë kandidatët demokratë kanë nisur të akuzojnë republikanë për pasivitet në adresimin e çështjes.