Transportohen edhe shumica e të mbijetuarve të aksidentit
Kanë arritur në Kosovë trupat e pajetë të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci.
Makinat me trupat e pajetë kanë hyrë në Kosovë nga Shqipëria në pikën kufitare në Morinë, ndërsa gjatë ditës pritet varrimi nga familjarët e tyre.
Rreth mesnate kanë arritur në Kosovë 21 të lënduarit e aksidentit tragjik. Disa prej tyre janë marrë me autoambulanca ndërsa të tjerët janë marrë nga familjarët e tyre të cilët kanë hyrë me vetura për t’u ikur kontaktit me mediat.
Për t’i pritur të mbijetuarit e aksidentit në aeroportin e Prishtinës kishin dalë Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
Nga spitali janë liruar gjithsej 28 pacientë, disa prej të cilëve janë kthyer në Gjermani.
“28 veta tashmë janë liruar nga spitali dhe 15 vazhdojnë trajtimin në spital në Brod. Një nga pacientët është transferuar në Zagreb ku është dyshuar për disa lëndime dhe problem neurologjike por fatmirësisht gjendja e saj është stabile”, thotë ministri i Shëndetësisë së Kosovës.
Janë duke u shqyrtuar mundësitë që shoferi i autobusit të gjykohet në Kosovë. Aktualisht ai gjendet në paraburgim 1 muaj me vendim të gjykatës në Kroaci pasi nuk ka marrëveshje ekstradimi ndërmjet dy shteteve.