Nga Katerina Kolozova /
Në vitin 2004, Maqedonia e Veriut ishte një nga shtetet e para post-jugosllave që fitoi statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Por 16 vjet më vonë, vendi ka çelur ende bisedimet e drejtpërdrejta me Brukselin për pranimin në union.
Gjatë një dekade e gjysmë, Shkupit i janë bërë kërkesa si asnjë vendi tjetër kandidat. Së pari që të ndryshojë emrin, dhe së fundmi që të ndryshojë mënyrën se si e përcakton gjuhën dhe historiografinë e tij zyrtare.
Për vite me radhë, Greqia e bllokoi anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut për shkak të emrit të saj të mëparshëm kushtetues – Republika e Maqedonisë – duke argumentuar se ai nënkuptonte pretendime mbi trashëgiminë kulturore greke, atë të mbretërisë së Maqedonisë Antike dhe perandorit të saj të famshëm, Aleksandrit të Madh.
Shpresat u ringjallën në vitin 2018, kur mosmarrëveshja u zgjidh me nënshkrimin e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Prespës”, e cila çoi në riemërtimin e vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Neni 7 i dokumentit specifikonte që “maqedonishtja” i referohej gjuhës sllave që flitej në vend.
Me heqjen e vetos greke, Maqedonia e Veriut ishte në rrugën e duhur për t’u bërë këtë vit një kandidat zyrtar për pranimin në BE. Por në tetor, një fqinj tjetër – Bullgaria – vendosi veton e saj. Soofja kishte qenë ndër mbështetëset më të mëdha të pranimit në BE të Maqedonisë së Veriut.
Madje në vitin 2017, të dyja vendet nënshkruan një “Marrëveshje për marrëdhënie të mira fqinjësore”, që siç kam shkruar në atë kohë, siguronte një model për ndjekjen e një kuptimi pastërtisht politik të identitetit kombëtar, si një çështje e vetëvendosjes që shihet e ndarë nga historia.
Sot, Bullgaria e akuzon Maqedoninë e Veriut se nuk po e respekton atë marrëveshje, me shkeljet ee pretenduara që variojnë nga mungesa e investimeve në infrastrukturën, që do të lidhte më mirë të dyja vendet, tek ritmi i ngadaltë të komisionit dypalësh për rishikimin e teksteve të historisë, me synim sheshimin e dallimeve historiografike.
Por thelbi i pretendimeve bullgare, përbën një sfida mbi origjinën e kombit maqedonas dhe gjuhës së standardizuar. Duke e ngritur këtë çështje, Sofja shkoi në fakt kundër idesë thelbësore të marrëveshjes së saj të miqësisë me Shkupin:Pavarësisht se kur krijohet një komb dhe në çfarë rrethanash historike, pasi ai themelohet, e drejta e vetë-identifikimit si komb bëhet një e drejtë sovrane, që nuk kontestohet dot nga ndonjë entitet tjetër sovran.
Zyrtarë të ndryshëm bullgarë, kanë pohuar se maqedonasit janë bullgarë por që nuk janë të vetëdijshëm për këtë fakt. Ndërsa Akademia Bullgare e Shkencave, ka refuzuar t’i referohet ssi “maqedonase” gjuhës së Maqedonisë së Veriut si, duke argumentuar se kjo gjuhë është në fakt një version i standardizuar i një dialekti bullgar.
Në lidhje me çështjen e historiografisë ka dallime, dhe ato duhet të adresohen. Por duhet theksuar që komisionet e ngarkuara për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkulturore dhe historike në Evropë, kanë punuar për dekada për t’i zgjidhur ato.
Për shembull komisioni gjermano-francez mbi rishikimin e teksteve të historisë ka qenë aktiv që nga vitet 1980; ai gjermano-polak që nga vitet 1970. Komisioni bullgaro-maqedonas nisi të funksiononte 1 vit më parë, dhe këtë vit iu desh të ndërpresë aktivitetet e tij për shkak të pandemisë së Covid-19.
Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se komisioni po i largohet premisës se shteti komb i Maqedonisë së Veriut lindi brenda Jugosllavisë socialiste. Ndaj këmbëngulja bullgare që maqedonasit ta “pranojnë” këtë nuk ka kuptim, dhe duket se motivohet vetëm nga dëshira për të poshtëruar Shkupin.
Sigurisht, vetoja ka edhe arsye të brendshme politike. Qeveria aktuale bullgare, një koalicion i partive të djathta të qendrës dhe ato të ekstremit të djathtë, u përball me protesta të mëdha duke kërkuar dorëheqjen e saj gjatë verës, dhe tani po has shumë vështërësi në menaxhimin e pandemisë.
Por ndëkaq, ekziston një zhgënjim i vazhdueshëm bullgar me Maqedoninë e Veriut. Në sferën publike bullgare, përmendet shpesh “bullgaro-fobia” maqedonase. Në këtë pikë, pala bullgare ka ndodhta të drejtë, dhe ky fenomen u ekspozua kohët e fundit nga reagimet e turpshme të brendshme ndaj intervistës kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhënë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve BGNES më 25 nëntor.
Intelektualët dhe politikanët maqedonas, madje edhe ata që i përkasin Unionit Socialdemokrat të Zaev, e sulmuan kryeministrin për “kapitullimin e tij ndaj fashizmit bullgar”, vetëm pse tha gjatë intervistës se “Bullgaria nuk një shtet fashist”, dhe se ishte “Jugosllavia ajo që i mbajti të distancuar dy vendet”.
Fjalët e tij u interpretuan si blasfemi, si një fyerje e thellë ndaj “rezistencës antifashiste” krenare maqedonase kundër pushtimit bullgar gjatë Luftës së Dytë Botërore, të asaj që në atë kohe ishte thjesht Serbia e Jugut. Një lidhje ekskluzive e identitetit maqedonas me antifashizmin dhe heroizmin partizan, është normalizuar aq shumë sa që ata që thonë se jo të gjithë maqedonasit ishin antifashiste, dhe jo të gjithë bullgarët ishin fashistë gjatë luftës, e lëre më pastaj sot, kjo perceptohet si një herezi e patolerueshme.
Emri i kësaj herezi është “revizionizëm”. Brenda akademisë maqedonase të shkencave, duket se ekziston një konsensus se “revizionizmi”, është një term negativ i vetë-shpjegueshëm:rishikimi i pjesëve të historisë, që mund të ndihmojnë në krijimin e një panoramë më të nuancuar të marrëdhënieve maqedono-bullgare, duket se është i paimagjinueshëm, madje edhe për disa anëtarë maqedonas në komisionin dypalësh.
Nëse shoqëritë bullgare dhe maqedonase, dëshirojnë të luftojnë nacionalizmat e tyre përkatës, dhe të ecin përpara larg koncepteve të tyre të çimentuara të historiografisë kombëtare, vetoja bullgare duhet të hiqet.
Është gjithashtu thelbësore që ata intelektualë bullgarë dhe maqedonas, të cilët janë përfshirë në debate pozitive dhe konstruktive ndërkufitare, të mos dekurajohen nga sulmet e mbrapshta me të cilat janë përballur, dhe të këmbëngulin në përpjekjet e tyre për të ndërtuar ura bashkëpunimi./ Al Jazeera