Midis nesh
Periudha e tranzicionit, pra kalimi nga një sistem (monizmi) në një sistem tjetër që ishte shumë pak i njohur (pluralizmi) edhe për shqiptarët, duket se akoma nuk ka përfunduar, kurse në këtë rrugëtim më shumë se 30 vjeçar, s’është arritur as transformimi shpirtëror, gjë që shoqërisë shqiptare i ka shkaktuar shumë telashe.
Në një situatë të padefinuar, që ngjason me anarkinë, dëme të shumta pësoi edhe kultura shqiptare, që ka specifikat e veta dhe rrënjë që nga epoka ilire. Në këtë periudhë, shqiptarët gjithandej hapësirave ku jetojnë, u përballën me shumë sfida. Më e dëmshmja rezultoi të jetë hapja e portës së madhe për globalizmin dhe ndikimi i elementeve të kulturave fqinj dhe më gjerë. Kur gjithë kësaj t’i shtohet edhe përqendrimi i politikës shqiptare në probleme ekzistenciale, por edhe politizimi i skajshëm i çdo segmenti, atëherë sado kudo mund të krijohet një përfytyrim se cila ishte rrjedha e kulturës shqiptare në këtë periudhë sfidash të shumta.
Ndikimet nga jashtë sidomos gjetën strehim në gjuhë, në gatime, në shmangien e traditës e kështu me radhë. Akademitë shqiptare të arteve dhe shkencave u morën më shumë me çështje margjinale e më pak me detyrat e tyre shtëpiake dhe thelbësore.
Për shkak të mospasjes së kushteve, por edhe lënies anash, shumë shoqata kulturore ose u shuan, ose mbetën të evidentuar vetëm në letër, kurse inteligjencia thjeshtë parapëlqeu heshtjen, duke ua lënë gjithë barrën politikanëve, të cilët, siç dihet, kanë vetëm një qëllim: si të pasurohen në kurriz të popullit!
Ngecja u vërejt në çdo element: në film, në teatër, në letërsi, në muzikë dhe shumë arte tjera, për të cilat nuk ndjehet ndonjë shqetësim kolektiv, kurse shqetësimet individuale janë vetëm reagime, të cilat nuk tërheqin vëmendjen e askujt.
Kultura shqiptare ngeci edhe në formën institucionale. Akoma ka dilema se vallë shqiptarët që jetojnë në disa shtete janë pjesë e një kulture, përkatësisht të kulturës shqiptare. Akoma ka dilema rreth bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, pavarësisht hapësirave ku jetojnë, akoma ka dilema se a kemi një letërsi e kështu me radhë.
Për mbrojtjen e kulturës shqiptare nevojiten mekanizma shtetërore, të cilat do të duhej të keni qëllime dhe obligime të qarta. Mbase, do të ishte shumë mirë që akademitë shqiptare, por edhe subjektet tjera kulturore të hartojnë platformë të qartë për mbrojtjen e kulturës shqiptare, si nga “armiqtë” e brendshëm ashtu edhe nga ata të jashtëm.
Kultura shqiptarë duhet të jetë lëndë e veçantë në shkollat tona fillore dhe të mesme, sepse pikërisht në këto nivele të shkollimit fillon dhe zhvillohet ideja e kulturës kombëtare. Natyrisht, është koha të dalim edhe nga ai tranzicion i kobshëm që kulturën e ka zhytur në një anarki të vërtetë…/HEJZA/