Më shumë foto se sa libra të blerë!

Midis nesh

Panairi i librit 2022 mbajtur në Tiranë, të dielën uli siparin. Natyrisht, për shkak të rrethanave jo të volitshme ekonomike, por edhe për shkaqe subjektive dhe raportit të dukshëm refuzues ndaj librit, botuesit do të jenë ata që do ta thonë fjalën e fundit për interesimin ndaj librit, ndonëse vend për optimizëm nuk ka.
Tash e tutje, qasja ndaj Panairit të librit, gjithsesi do të duhet të ndryshojë dhe ky ndryshim patjetër se do të duhet të vërehet që në Panairin e vitit të ardhshëm, sepse rrezikon të bëhet monoton, për shkak të skenarit të njëjtë që përsëritet vit pas viti.
Pra, panairet e ardhshme duhet të shquhen me përmbajtje tjetër dhe jo të kenë vetëm një qëllim, atë material. Në të kundërtën, edhe kjo e fundit, pra qëllimi material, gjithsesi do të zbehet dhe do të bie në minimum, për të mos thënë se do të bëhet simbolik.
Edhe pse dikujt do t’i dukej normale, prapë se prapë u vërejt një dukuri që mund të haset vetëm në tregun e frutave dhe perimeve, ku shitësit zëshëm njoftojnë dhe ftojnë blerësit. Lutjet e autorëve: “ejani në kaq ora do të jemi me ju…në kaq ora është promovimi…në kaq ora nënshkruajmë libra”…nuk janë aq të këndshme, sepse është punë ekskluzivisht e shtëpive botuesve.
Por, çfarë tregoi FB për këtë panair. Mbi të gjitha, tregoi se edhe Panairin e sivjetmë e vizituan, pra vetëm e vizituan, ndër të tjerë, edhe shumë mediokre që shkuan në këtë ngjarje të madhe kulturore për të bërë foto brenda hapësirave të Pallatit të Kongreseve, por edhe jashtë.
Është më se e sigurt se më shumë u bënë foto se sa u blenë libra. Dëshira për të shkuar në Panairi sa për ta bërë një foto dhe për t’ia treguar botës “intelektualizmin”, është një veti mediokre tipike e atyre që vuajnë nga komplekse të ndryshme dhe të cilët nuk e çajnë kokën se ata më shumë se veten, nuk gënjejnë askënd.
Ndaj, që të jemi të ndërgjegjshëm dhe të moralshëm në raport me librin dhe autorët shqiptarë, qasja ndaj një ngjarje të këtillë me përmasa kombëtare, duhet të pësojë ndryshim për 180 shkallë, thjeshtë për t’ia kthyer dinjitetin librit shqip, shkrimtarëve, por edhe botuesve, të cilët duhet të kenë trajtim të barabartë, duke u ofruar mundësi të gjithëve (sidomos botuesve solid nga Kosova e Maqedonia) që t’i ekspozojnë botimet e tyre. Natyrisht, ndryshime duhet të pësojnë edhe panairet tjera të librit në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Duhet bërë përpjekje për një ndryshim rrënjësor, duke e shndërruar panairin nga ai me karakter shit-blerës në atë ekspozues, ku mblidhen në një vend botues, shkrimtarë, përkthyes dhe dashamirët e librit, me ç’rast prezantohet opusi i shtëpive botuese, organizohen debate, lidhen kontrata të reja e kështu me radhë, ndërkaq pastaj libri u lihet librarive.
Librin shqip duhet ta shpëtojmë nga kriza. Nëse të gjithë kontribuojnë nga pak, atëherë libri vërtet do të konsiderohet si një ushqim i domosdoshëm shpirtëror dhe patjetër se do të jetë në shtëpitë tona…
/HEJZA/

Leave a Reply