Michigan e Arizona/ “Mësyhen” qendrat e votimit

Rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara është ende i paqartë me disa shtete të lëkundura që ende nuk e kane mbyllur numërimin, përfshirë këtu dhe Arizonën ku po zhvillohet një luftë e fortë.

Epërsia e rehatshme e Bidenit ndaj Trumpit atje është rrudhur shumë gjatë natës. Mbështetës të armatosur të presidentit kanë zbritur pranë qendrave të numërimit , me kërkesën për transparencë. Të paktën njëri prej tyre hyri me dhunë brenda njërës qendër, duke detyruar mbylljen e saj ndërsa stafi u mbyll brenda.

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetëra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti. Po në Detroit, situata është e nderë; zyrtarë zgjedhore ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, me pretendimin e kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”. Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin”.

Leave a Reply