Mijëra refugjatë kanë mbërritur në fshatin Idomeni, në kufirin midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, 86 km në veri të Selanikut, pasi ka përfunduar greva dyditore e marinarëve grekë dhe më shumë se 18 mijë vetë kanë kaluar kufirin në 48 orët e fundit drejt vendeve të Europës Qendrore dhe Veriore, sipas policisë greke.
Ndërkohë, organet e kufirit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë lejojnë në intervale të rregullta njëorëshe grupe me nga 50 njerëz, fakt që ka sjellë radhë të gjata në kufirin pranë Gjevgjelisë, ku me mijëra refugjatë presin me padurim të kalojnë në anën tjetër.
“Pas grevës në fillim të muajit, kemi pasur një rritje të të ardhurve të rinj në ditë. Dje kanë mbërritur 10 mijë persona, sot presim të paktën 8.000 vetë”, tha Luka Gvanciloni, kreu i ekipit të UNHCR-së.
Në këtë udhëtim të lodhshëm e shpeshherë të rrezikshëm për jetën, ndihmë për këta njerëz, që nguten t’u largohen sa më shumë vdekjes dhe shtëpive të tyre të shkatërruara nga lufta civile, janë punonjësit e UNHCR-së, organizatat ndërkombëtare humanitare dhe ato vendase.
“Njerëzit udhëtojnë, janë të stresuar, por ndoshta ju duhet pak edhe të këndojnë. Informimi, mbrojtja dhe buzëqeshja, këto janë ato që ne po përpiqemi t’u japim këtu, në këto 200 metra që ndajnë autobusët drejt kufirit të ardhshëm”, tha më tej Luka Gvanciloni.
Ngutja për të kaluar sa më shpejt vihet re edhe në kufirin me Serbinë, pasi Sllovenia, shteti tjetër nga i cili refugjatët duhet të kalojnë për të mbërritur në Austri dhe Gjermani, ka deklaruar orët e fundit se do të vendosë pengesa të përkohshme teknike përgjatë kufirit të saj me Kroacinë, në ditët e ardhshme, për të kontrolluar fluksin e madh.
Ndërkohë që çështja e krizës së refugjatëve përbën shqetësim të madh dhe prioritet për BE-në, ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble ka propozuar në mbledhjen e fundit të Eurogrupit, që vendet në ngërç zhvillimi ekonomik të pranojnë më shumë refugjatë.
Sipas të dhënave të fundit të Frontex, vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti, më shumë se 540 mijë refugjatë kanë hyrë në BE nga Turqia, nëpërmjet ishujve grekë, 13 herë më shumë se një vit më parë. Rreth një e treta e tyre ka hyrë vetëm në muajin tetor, me gjithë përkeqësimin e kushteve atmosferike.
Ndryshe nga çfarë ka ndodhur me numrin rekord të refugjatëve në Greqi dhe Ballkanin Perëndimor, rruga qendrore përmes Mesdheut drejt Italisë, kryesisht nga Libia, ka rënë me thuajse 50%. Janë regjistruar 8500 refugjatë gjatë tetorit të këtij viti, krahasuar me dyfishin e po të njëjtit muaj gjatë vitit të kaluar.
Ky ndryshim, më së shumti ka ardhur për shkak të mungesës së varkave në dispozicion të trafikantëve, duke e ulur numrin total gjatë këtyre 10 muajve të këtij viti në 140 mijë refugjatë, krahasuar me afro 155 mijë të të njëjtës periudhë të vitit 2014.
Në total, numri i refugjatëve të kapur duke kaluar ilegalisht kufijtë e jashtëm të BE-së për të hyrë në brendësi të saj; me destinacionin më të preferuar Gjermaninë; gjatë 10 muajve të parë të këtij viti ka shkuar në 1,2 milionë të tillë, një rekord i paprecedentë, dhe plot 4 herë më i madh sesa 282 mijë refugjatët e shënuar përgjatë gjithë vitit të kaluar.