Këtu e 110 vite më parë
Një debat fare i kotë i kohëve të fundit se kush janë vëllezërit e shqiptarëve e kush janë miqtë e tyre! Kush më mirë do ta shpjegonte kuptimin e vëllazërisë, mikut dhe të tolerancës fetare se sa vetë At Gjergj Fishta, i cili, në të njëjtën kohë ka përjetuar edhe pushtuesin shekullor si patriot e hero të kombit shqiptar, edhe “vëllain” si armik të kombit, tradhtar dhe kolaboracionist i armikut! Ka madhëruar “pushtuesin” mik, ka mallkuar vëllai armik që ka poshtëruar gjakun e të parëve. At Gjergj Fshta bëhet themel i pashembullt në botë i kulturës së tolerancës ndërfetare te shqiptarët!
Këtë do ta shpjegonim me një parantezë nga një ndodhi e tmerrshme historike!
Në periudhën kur po ndjehej grahma e fundit e perandorisë osmane dhe, në këto çaste, tërbimi antishqiptar ishte edhe më i madh, me ç’rast një numër bukuri madh i shkodranëve katolikë ishin strehuar në zonat e Malit të Zi të Car Nikollës, në Shkodër kishte ardhur një pasha i ri, të cilin Porta e Larë e kishte emëruar vali të fundit të kësaj perandorie në Shkodër!
Hasan Rizai me origjinë nga Kastamonu ishte lindur në Bagdad më 1871, kur i ati Namik Pasha ishte vali i Bagdadit. Ai u shkollua fillimisht në Stamboll dhe pati një karrierë të vrullshme. Kur ishte vetëm 28 vjeç mori gradën nënkolonel. Ai studioi edhe në Gjermani për disa kohë. Në Shkodër erdhi si komandant i një divizioni. Nënkomandant i tij ishte Esat Pashë Toptani! Hasan Rizai, si ushtarak i mprehtë, kishte nuhatur planet e Car Nikollës dhe kishte përgatitur një strategji për ta mbrojtur Shkodrën. Nuk po përfillte më kurrfarë vendimesh të Portës, obsesion i ishin bërë Shkodra dhe shkodranët. Mbase e vriste edhe ndërgjegjja për tërë atë që ua kishte bërë shkodranëve katolikë paraardhësi i tij, Shefket Turgut Pasha. Për ta jetësuar strategjinë e vet Hasan Riza Pasha kishte nisur të bashkëbisedonte me krerët katolikë të shqiptarëve veriorë. Të gjitha shpresat dhe tërë besimin i kishte varur te ky komunitet. Patriotizmi i tyre dhe gatishmëria për t’u flijuar për atdhe, te Riza Pasha po shtonin besimin se Shkodra kurrë nuk do të pushtohej. Një prej veprave që te pasha po linte mbresa të thella ishte edhe “Lahuta e Malsisë” e At Gjergj Fishtës, për të cilën kishte kërkuar nga Porta e lartë që t’i dakordohet dekorata e Sulltanit, Maarif II, të cilën, Fishta e mban në kraharor bashkë me dekoratat françeskane (në foto medalja e fundit në anën e djathtë). Gjergj Fisha ishte zëdhënësi më i fuqishëm si dhe këmbëngulësi i pashoq në apelin e shenjtë për tolerancë ndërfetare dhe në bashkim të të krishterëve e të myslimanëve për të mirën e Atdheut.
Në një rast, pas përfundimit të shfaqjes teatrale të Fishtës, të cilën e kishte ndjekur me kënaqësi edhe Hasan Rizai, pasi e përgëzon At Gjergj Fistën, ia kërkon edhe një nder: e luti që ta përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Ky ishte teksti i At Gjergj Fishtës:
Prej kah len e merr hana
M’u çue shekulli kundra nesh
Djelm kreshnikë na ban nana
Vetëm na iu dalim ndesh.
Të parët tanë burra çelikut
Bota mbarë sot i nderon
Ata i binin ndesh armikut
Si rrufeja kur veton…
Të krishterët e Shkodrës dhe të zonës së Mirditës kishin pranuar që të komandohen nga pashai vetëm me kushtin që në luftë të shkohet nën flamurin shqiptar. Pashai e kishte pranuar këtë kusht duke i shkruar Portës së Lartë se “Asht nevoja me e shtie në binarë e jo ma me e ndrydhë nacionalizmin shqiptar”!
Fatkeqësisht, më 30 janar të vitit 1912, Hasan Riza Pasha do të vritet në pabesi nga Esat Pashë Toptani, pas një marrëveshje me palën malazeze se, pas një qëndrese disa mujore, malazezët do ta pushtojnë Shkodrën, ndërsa do të lejojnë që ushtarët e perandorisë të tërhiqen krenar, duke mos lëshuar armët nga dora! Shkodra ra! Malazezët shkelën tokat shqiptare, duke djegur e bërë pluhur me shtëpi, prona të tundshme e të patundshme, shqiptarë e gjithçka e gjallë!
Sipas raporteve françeskane derisa erdhi perandoria austro-hungareze, malazezët dogjën fshatra të tëra shqiptare, plaçkitën çdo shtëpi e i detyruan mijëra myslimanë e katolikë që të konvertoheshin në ortodoksë.
Në varrin e Hasan Riza Pashës, Gjergj Fishta shkroi këtë epitaf: “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913 e vrau një dorë tradhtare mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme e kje varrosë TRIMI”./HEJZA/