Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca po kërkon hollësi rreth vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për të ulur numrin e trupave të SHBA në Gjermani. Ai i bëri komentet të martën, ndërkohë që propozimi për shkurtimin e trupave i ka kapur aleatët në befasi.
Presidenti Trump, i cili e ka kritikuar Gjermaninë se nuk po shpenzon sa duhet për mbrojtjen, konfirmoi të hënën njoftimet e javës së shkuar për një shkurtim të 9,500 trupave amerikane në Gjermani. Nëse ndodh, kjo do të ishte hera e parë që presidenti i SHBA vë në jetë kërcënimin për të pakësuar mbështetjen në Evropë.
“Ende nuk është vendosur se si dhe kur do të vihet në jetë ky vendim,” tha zoti Stoltenberg në një videokonferencë shtypi.
Ai tha se kishte biseduar me Presidentin Trump e me zyrtarë të tjerë të SHBA dhe se ishte duke u këshilluar me ministren gjermane të mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila tha javën e kaluar se nuk ishte informuar për vendimin.
“Është një marrëveshje dypalëshe midis SHBA dhe Gjermanisë, por natyrisht ka rëndësi për tërë aleancën,” tha zoti Stoltenberg.
Ai pohoi se i kishte thënë Presidentit Trump se trupat amerikane në Evropë nuk janë thjesht për mbrojtje territori, por lejojnë Shtetet e Bashkuara të projektojnë fuqinë përtej kontinentit.
Javën e kaluar, një zyrtar amerikan tha se vendimi ishte rrjedhojë e shumë muajve punë dhe nuk kishte asnjë lidhje me tensionet mes Presidentit Trump dhe kancelares gjermane Angela Merkel, e cila nuk e pranoi planin e tij për një samit të Shtatëshes, nën mikpritjen e tij, me pjesëmarrje fizike të udhëheqësve.
Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë informuar aleatët për vendimin, por mund të përdorin për këtë qëllim një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s që mbahet të mërkurën dhe të enjten me videokonferencë, thanë dy diplomatë të aleancës.
Megjithatë Shtetet e Bashkuara do të mbajnë në Evropë një personel ushtarak prej rreth 50,000 vetash./VOA/