NATO, marrëveshje për të mos furnizuar me tanke Ukrainën?

Kuleba: Kemi nevojë sidomos për “leopardët” gjermane

Asnjë vend i NATO-s nuk do të furnizojë me tanke dhe avionë Ukrainën, që po përballet me sulmin e ashpër nga Rusia. Për këtë ka një marrëveshje mes vendeve të aleancës që nuk është shpallur publikisht.

Këtë e bëjnë të ditur mediat gjermane që citojnë burime pranë socialdemokratëve në qeveri, të cilët thonë se zyrtarët e vendeve aleate kanë arritur një marrëveshje joformale, që sipas tyre është e nevojshme për të shmangur zgjerimin e konfliktit ukrainas përtej kufijve të Ukrainës.

Ukraina ka nevojë për tanket e prodhimit perëndimor për të zmbrapsur sulmin rus që në ditën e 91-të të tij është përqëndruar kryesisht në rajonin lindor të Donbasit. Këtë e bëri të qartë ministri i Jashtëm ukrainas Dimitro Kuleba, për të cilin të nevojshëm janë veçanërisht tanket gjermanë “leopard”. Por Berlini është një ndër kundërshtarët kryesorë të dërgimit të armëve të rënda në Ukrainë.

Gjatë fjalës së tij në forumin ekonomik botëror, Kuleba kritikoi ashpër Bashkimin Europian që sipas tij nuk po e ndihmon Ukrainën me armatimet e nevojshme. Sanksionet europiane i konsideroi si “Letra ere” që nuk po i shkaktojnë dëmet e pritshme ekonomisë ruse. Sakaq, vetëm gjatë 24-orëve të fundit rusët kanë kryer 40 sulme të fuqishme në rajonin e Donbasit, kryesisht në zonën industriale të Severodonetskut.

Leave a Reply