NATO nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë

Presidenti i Polonisë pas takimit me kreun e NATO-s Stoltenberg deklaroi se i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të ruajë unitetin përballë agresionit rus në Ukrainë. Duda tha se nuk mund të pranohet që një shtet në Europë të sulmohet nga forcat e armatosura dhe të ndryshohen kufijtë me forcë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg vizitoi trupat ushtarake të aleancës veri-atlantike në Poloni dhe Estoni.

Stoltenberg tha se NATO po ofron mbështetje ushtarake, po dërgon armë kundërtanke dhe kundërajrore, ndihma humanitare dhe financiare por nuk do të dërgojë trupat e saj ushtarake në Ukrainë. Sipas tij Rusia duhet të tërheqë forcat e saj nga Ukraina dhe të hyjë me mirëbesim në rrugën e diplomacisë ndërsa do të mbrohet çdo pëllëmbë e shteteve anëtare të NATO-s.

Polonia është kthyer në një qendër logjistike për të transferuar pajisje ushtarake dhe për të ndihmuar kalimin e tyre në pjesën perëndimore të Ukrainës që nuk është ende e pushtuar nga forcat ruse. Rusia po përpiqet për të shkëputur lidhjet tokësore të Ukrainës nga kufiri i saj me Poloninë për të ndaluar efektivisht transferimet e armëve.

Ushtria polake ka në plan dorëzimin e avionëve luftarakë MiG-29 dhe njëqind raketa ajrore-ajër me rreze të shkurtër R-73.

Leave a Reply