Publikon përgjimin telefonik, i vendosën “Noviçok” në të brendshme
Lideri i opozitës ruse Aleksei Navalni pretendon se ka zbuluar misterin e helmimit të tij më 20 Gusht. Ai thotë se ka zbuluar mënyrën se si u helmua gjatë vizitës në Tomsk, përmes një loje në telefon që i bën disa agjentëve të Shërbimit të Fshehtë rus të Sigurisë FSB.
Në bisedën telefonike që e ka publikuar në blogun personal në internet, njëri nga agjentët duke besuar se flet në konfidencë me Navalnin i tregon se helmin vdekjepurrës Noviçok ia kishte vendosur në të brendshme liderit të opozitës teksa flinte në hotel.
Agjenti i pretenduar i thotë Navalnit se kishte pasur fat që shpëtoi falë uljes urgjente në aeroportin e Omskut, të avionit me të cilin udhëtonte drejt Moskës dhe marrjen e ndihmës së menjëhershme mjekësore.
Në reagimin e tij, presidenti rus Vladimir Putin tha se Navalni s’ia vlente as të helmohej. Ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke përdorur ironinë tha se biseda telefonike e publikuar nga Navalni ishte shumë zbavitëse.
Ai tha se Moska tashmë ishte mësuar me të tilla zhvillime që i hapin rrugë perëndimit të ngrejë akuza dhe të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë.