Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore.
Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve. Veprat penale që po hetohen janë ato të Shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet që kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kane respektuar lejen e marre, Ndërtim i paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, neni 199/b i Kodit Penal.
Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor. Në vijim të veprimeve të kryera, i kërkohet informacion Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion u është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore.