Prishtinë 14 dhjetor – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Tiranë dhe Prishtinë dhe British Council nënshkruan sot në Prishtinë, një Memorandum mirëkuptimi në kuadër të bashkëpunimit për zbatimin e projektit “Projekti për diplomaci dixhitale – Shqipëria dixhitale dhe Kosova dixhitale”.
Memorandumi është nënshkruar nga zëvendësministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, homologu i tij nga Shqipëria, Halil Hyseni, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Tiranë dhe Prishtinë, Jan Braathu, dhe drejtoresha e British Council në Kosovë, Arjeta Emra.
Me këtë Memorandum Mirëkuptimi synohet vendosja e një partneriteti midis katër palëve të sipërpërmendura në jetësimin e projektit gjegjës.
Palët synojnë, mes tjerash, siç qëndron në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë dhe Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe për promovimin e imazhit të tyre përmes diplomacisë dixhitale, si dhe të angazhojnë të rinjtë si një faktor kontribues në forcimin e imazhit të shteteve të tyre përkatëse.
Pas nënshkrimit të Memorandumit, zëvendësministri i Kosovës, Petrit Selimi u shpreh se ky projekt, që mbështetet nga qeveria norvegjeze me një grant me vlerë deri në 300,000 euro, është njëherësh një prej projekteve më ambicioze në fushën e diplomacisë dixhitale. Ai shtoi se qeveritë norvegjeze dhe britanike vazhdimisht kanë mbështetur përpjekjet e Kosovës në këtë fushë, përpjekje këto të cilat kanë vënë vet qytetarët dhe të rinjtë inovativë kosovarë në plan të parë si diplomatë aktivë.
Selimi nënvizoi se Draft-Strategjia për Diplomaci dixhitale e Kosovës dhe përpjekjet e MPJ-së kosovare me partnerët e saj ndërkombëtare u njohën edhe përmes vlerësimit të kësaj strategjie si e katërta me e mira në botë (pas SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Izraelit) nga revista prestigjioze turke në fushën e diplomacisë publike dhe dixhitale, “Yeni Diplomasi”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Halil Hyseni theksoi se qeveria në Tiranë e mirëpret arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe jetësimin e këtij bashkëpunimi të një rëndësie të posaçme për afirmimin dhe konsolidimin e të dy shteteve përkatëse, si dhe promovimin e aseteve të tyre në mënyrë sa më të efektshme në rrafshin global. Hyseni tha se me këtë projekt do të përfshihen edhe më shumë të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kanë potencial për të promovuar vendet e tyre përmes realizimit të ideve të tyre kreative. Zëvendës-shefi i diplomacisë së Shqipërisë tha më tej se ky memorandum do të promovojë rrjetin e “diplomatëve dixhitalë” dhe do të ndihmojë edhe në zbatimin e diplomacisë publike dhe kulturore.
Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Tiranë dhe Prishtinë, Jan Braathu u shpreh se projekti për diplomaci dixhitale mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ndihmojë në ndryshimin dhe përmirësimin e percepcioneve të komunitetit ndërkombëtar ndaj këtyre dy shteteve të mrekullueshme. Ambasadori Braathu tha se ambasadorët e vërtetë e shteteve anembanë botës janë të rinjtë inovativë cilët përmes shkrimeve pozitive në encikplopedi dhe faqe të ndryshme të internetit japin kontribut të prekshëm në promovimin e vendeve të tyre në të gjitha fushat, turizëm, kulturë, ambient, e kështu me radhë. Ai shtoi se janë pikërisht këta të rinj ata të cilët mund të shënojnë arritje të rëndësishme dhe të thyejne barriera të cilat politikanët dhe ambasadorët nuk mund t’i tejkalojnë. Braathu tha se Mbretëria e Norvegjisë mbetet e përkushtuar të mbështes të rinjtë e talentuar në Shqipëri dhe Kosovë, si ambasadorët më të mirë të vendeve të tyre.
Drejtoresha e British Council në Kosovë, Arjeta Emra tha se pikërisht qytetarët e Kosovës janë diplomatët më të mirë të vendit. Ajo falëndëroi MPJ-në e Kosovës dhe atë të Shqipërisë për arritjen e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm për të dy vendet, por edhe shtetin norvegjez për bashkëpunimin dhe kontributin e çmuar në mbështetjen e këtij projekti, por edhe të nismave të të tjera të dobishme për qytetarët kosovarë. Emra tha se Këshilli Britanik, me ekspertizën dhe cilësitë tashmë të njohura nga të gjithë, vazhdon të inkurajojë gjithëpërfshirjen në veprimtarinë e tij dhe se mbetet partner besnik i MPJ-së Kosovës dhe i të gjitha institucioneve të tjera që inkurajojnë angazhimin e të rinjve kosovarë si diplomatë aktivë dixhitalë për të mirën e vendit.
Para nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendësministrat Selimi dhe Hyseni kanë zhvilluar një takim bilateral, ku i pranishëm ishte edhe Shkëlqesia e Tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit të gjithmbarshëm mes dy ministrive përkatëse, e veçanërisht në fushën e diplomacisë dixhitale, shtohet më tej në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.