Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, numër dy i Ministrisë së Mbrojtjes ka “thumbuar” Partinë Demokratike dhe eksponentë e saj, teksa deklaroi se përdori vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari për të shkaktuar grusht shteti, asokohe. Megjithatë, Koçi i bëri thirrje drejtësisë që të veprojë pa dallim ndaj autorëve, në mënyrë që të zbardhet ajo ngjarje. Sa i takon sjelljes së opozitës, sidomos ajo e ditëve të fundit, zëvendësministri u shpreh i bindur se minoranca parlamentare bëri gjithçka për bllokimin e negociata.
Në këtë pikë ai vuri në dukje, sajesat e PD-së që kishin target anëtarët e kabinetit qeveritar, kaos dhe bllokimi i jetës parlamentare nga ana e saj, si dhe shpifjet që sipas tij, ia kanë dërguar ndërkombëtarëve. Thënë më drejtë, zoti Koçi akuzoi opozitën se përmes sulmeve të saj ndaj reformës në drejtësi, kishte si synim moshapjen e negociatave.
-Zoti Koçi, ju keni mbajtur postin e ministrit të Brendshëm pas vrasjes së Azem Hajdarit. Si e shihni rihapjen e çështjes?
Përderisa në skenë del një dëshmitar i ri dhe që ka dijeni për rrethanat dhe autorët e vrasjes është normale që çështja të rihapet. Këtë nuk e them nga pozita e një ish-ministri, por nga gjykimi normal mbi një proces hetimor. Sidoqoftë vendimi merret nga institucionet përkatëse të drejtësisë dhe politika duhet të jetë e kujdesshme që të mos perceptohet si instrument presioni.
-Izet Haxhia pretendon se ka politikanë të përfshirë. Si i shihni këto akuza?
Për këtë s’jap dot ndonjë gjykim. Nëse ka politikanë të përfshirë drejtësia nuk duhet të hezitojë të veproje pa dallim. Dihet që vrasja e Azem Hajdarit çoi në një përpjekje për grusht shteti dhe ka dyshime që vrasja mund ta kishte këtë paramendim. Partia Demokratike pat paralajmëruar më herët se data e vrasjes se Hajdarit, se Shqipëria do të ngrihej në revoltë. Mjafton të shfletosh gazetën RD për këtë.
Avokati i Haxhisë ka kërkuar të thirreni si dëshmitar në gjyqin ndaj tij. Do dëshmoni?
Unë s’kam asnjë rrethanë që të lindë nevoja për të dëshmuar në një proces të tillë. Ministri i Brendshëm nuk është oficer i policisë kriminale apo i policisë gjyqësorë. Dhe nuk merret me hetim apo me administrim provash.
– PD ka shtuar sulmet ndaj qeverisë pas vendimit për negociatat. A punoi opozita kundër integrimit?
Opozita bëri gjithçka mundi për të bllokuar vendosjen e një date për hapjen e negociatave. E ktheu Parlamentin në arenë anormaliteti, nxiu Shqipërinë në çdo zyrë ndërkombëtaresh, shpifi dhe sajoi ‘prova’ inkriminimi të përfaqësuesve të qeverisë duke mospyetur për skrupuj. Ka qenë një ndërmarrje antishqiptare e pashoqe. Por dështuan me sukses të plotë. Bashkimi Europian arriti një kompromis tejet dobiprurës jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë të ardhmen e Europës. Shqipëria pa dashje u kthye në një shans për unitetin europian.
-Ambasadoret Lu dhe Vlahutin ikin brenda pak ditësh. Si i shihni sulmet e PD-LSI ndaj tyre?
Sindroma anti-imperialiste ka mbijetuar dukshëm në mentalitetin politik të Partisë Demokratike. Sulmet ndaj ambasadorit të Shteteve të Amerikës dhe asaj të Bashkimit Europian dëshmojnë se për pushtet PD është gati të baltose këdo dhe gjithçka. Megjithatë të dy ambasadorët kanë qenë më shqiptarë sesa opozita jonë. Kjo është e vërtet fatkeqësisht dhe fatmirësisht.
-Opozita po sulmon dhe reformën në drejtësi. A janë të shqetësuar nga kjo reformë?
Reforma në drejtësi duhej goditur për dy llogari të opozitës: e para sepse ajo ka një aleance të fortë me sistemin e vjetër të drejtësisë ku ndër thuren detyrime reciproke jetike dhe e dyta sepse kjo do të ndikonte në moshapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Europian.
-LSI ka propozuar shkrirjen e komisioneve të vetingut me argumentin se janë të paaftë. A e pranon mazhoranca diçka të tillë?
Besoj se vlen përgjigja e pyetjes pararendës edhe për këtë pyetje. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë lloj monopoli që lidhet me ndershmërinë apo profesionalizmin e sistemit të drejtësisë. Përkundrazi.
-Keni një koment mbi akuzat e zotit Basha ndaj zotit Balla për kapjen e 3.4 mln eurove?
Në ketë çështje zoti Lulzim Basha është kapur Gafil dhe për këtë duhet të japë llogari para drejtësisë. Ai duhet të sqarojë pse dekonspiroi një operacion policor në vijim.
-Kryeministri ka paralajmëruar ndryshime në qeveri, mendoni se ka ardhur koha për një proces të tillë?
Kryeministri kërkon ndryshim të qeverisjes në disa sektorë, siç është ai i shërbimit ndaj publikut dhe në funksionimin me ndershmëri e transparence të administratës publike. Kjo ka sjellë edhe ndryshime në disa nivele të administratës. Por procesi vazhdon.
-Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe ju si aleat i PS, a mendoni se Partia Socialiste duhet të hyjë në zgjedhje vetëm me aleatët tradicional edhe të mos shohë me nga LSI?
Mendoj se për taktiken e hyrjes në zgjedhje duhet diskutuar pas reformës zgjedhore. /Sot