Nesër, në ç`gjuhë do të flasin shqiptarët?

Midis nesh

Këto ditë, në një event kulturor kushtuar gjuhës sonë, u ngopëm duke dëgjuar tek i thurnin elozhe mikpritësit mysafirëve dhe anasjelltas. Madje, mysafirët u tejngopën me gënjeshtra nga mirëpritësit që u thoshin se Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet që me “Ligjin për Gjuhën Shqipe ka Agjencinë për mbrojtjen me ligj të gjuhës shqipe”! Këta “patriotë e atdhetarë”, siç u vlerësuan me servilitet, të gënjejnë kaq lehtë, apo janë kaq injorantë sa kur dehen nga elozhet nuk përtojnë t’ia fusin edhe kot!
Në të vërtetë, as në Shqipëri, as në Kosovë, por as në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston kurrfarë ligji për Gjuhën Shqipe. Jemi i vetmi popull në rajon që nuk kemi ligj për gjuhën tonë. Për pasojë, kemi humbur profesionet si lektor, korrektor, redaktor letrar, gjuhësor! Lektorët tanë nuk janë me licencë, me provim lektori! Pa licencë e pa provim përkatës janë të gjithë të punësuarit e Agjencisë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, që nga drejtori e deri te portiri!
Shkollat tashmë e kanë humbur fuqinë e kultivimi dhe të ruajtjes së gjuhës shqipe! Ndikimi i gjuhëve nga kulturat e mëdha, zhvillimi i teknologjisë, informatikës, publicistikës, përkthimet paushalle dhe të pasanksionuar, kanë bërë që fjalë të huaja, të futen e të përdoren si “neologjizma”, kanë ndikuar që ta bastardojmë theksin që është karakteristikë e gjuhës sonë (në çdo fjalë shumërrokëshe të shqipes theksi bie në rrokjen e parafundit)! Kësisoj po lejojmë një krim të tmerrshëm në sintaksë, por dhe në fusha të ndryshme të gjuhës! Askush nuk po apelon që ta barrikadojmë gjuhën tonë e ta bëjmë të pamundshëm infiltrimin e fjalëve të huaja. Të përdoren fjalë të huaja pa pasur nevojë, t’i harrojmë, mënjanojmë e t’i zëvendësojmë me zemërgjerësi fjalët shqipe me të huajat, kjo është të jemi krenar në mosmirënjohje ndaj punës së shenjtë që për gjuhën tonë kanë bërë që nga Gjon Buzuku, Frang Bardhi, plejada e rilindësve tanë, De Rada e Naimi, pastaj Fishta e Çabej, Idriz Ajeti e deri te më të rinjtë që vazhdimisht po tërheqin vërejtjen për domosdoshmërinë e pasjes së një Ligji kombëtar për Gjuhën shqipe. Dhe ky ligj duhet ta ketë edhe fuqinë e sanksionimit kundër të gjithë atyre që publikisht e bastardojnë gjuhën tonë. Duhet të themelohet një trupë akademikësh të cilët do të merreshin ekskluzivisht me gjetjen dhe zbulimin e fjalëve të gjuhës sonë, të cilat as nuk janë në fjalorët tanë ekzistues e as që përdoren. Duhet të vihen rregulla të rrepta në përdorimin e gjuhës shqipe në publik. Në të gjitha fakultetet lënda e gjuhës shqipe duhet të jetë ndër lëndët kryesore dhe assesi lehtësisht e kalueshme. Lektorët me licence të jenë të punësuar në çdo redaksi, në çdo shtëpi botuese, në çdo agjenci të librit shkollor, në qeveri, në parlament, në administratë, nëpër drejtori, korporata, gjithkund ku shqipja përdoret në formë të shkruar për komunikim, për reklamë, propagandë etj.
Ndër shekuj, armiq e pushtues, barbarë e perandori, janë munduar me mjete e metoda nga më të ndryshmet që të heqim dorë nga shqipja dhe ta harrojmë atë. E kemi trashëguar brez pas brezi dhe kemi arritur ta unifikojmë atë dhe tash e pesë dekada ta kemi të standardizuar. Mos të lejojmë që të na mungojë ligji, ndërsa të na shtohet lakmia për prurje të rrëmbyeshme të fjalëve të huaja në komunikimin tonë akademik të përditshëm.
Gjenerali famëkeq grek, pas dëbimit të çamëve nga trojet e tyre shekullore, kishte thënë: “I shfarosëm të gjithë! Këtu më nuk do të dëgjohet të flitet shqip”! Këto ditë, në një gazetë kombëtare, ishte botuar një tekst shumë “intelektualisht” i lartë! Kishte plotë 28 fjalë të huaja, prej të cilave 24 fjalë mund të zëvendësohen plotësisht nga fondi i fjalëve të gjuhës shqipe. Dal nga dal në viset tona nuk do të flitet gjuha jonë?! Kështu siç po shihen punët, me gjasë jo! /HEJZA/

Leave a Reply