Nga 1 tetori anulohet brenga e kamatave të majme

Problemet e qytetarëve jo vetëm me borxhet e vjetra, por edhe harxhimet shpesh të larta të përmbarimit, si rezultat i ekzistimit të kamatave që janë rritur për disa vite për shkak se ato nuk rrjedhin prej datës kur është sjellë vendimi, por prej ditës kur borxhi ka arritur për pagesë, pritet të zgjidhen me propozim ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie obligative apo të detyrimeve.

Në të kaluarën ka pasur raste që si rrjedhojë e kamatave një borxh prej 1000 denarë është rritur deri në 10 mijë denarë në emër të kamatave të borxheve të vjetra për të cilat qytetarët me vite ankohen se as nuk kanë pasur dijeni se kanë pasur borxhe, ndërsa më vonë kanë pasur obligim të paguajnë shuma të majme për borxhe të vjetra.

Pas lehtësimeve të ndryshme në vitin e kaluar, kur qeveria miratoi një pjesë të kërkesave të organizatave joqeveritare siç ishin pagesa jo e imponuar nga ana e shfrytëzuesve e ndihmës së garantuar minimale, shtesës fëmijërore apo të ardhurat për siguri sociale të personave të moshuar etj, kjo është lehtësimi i radhës për brengat e qytetarëve që paguajnë faturat e vjetra për të cilat ndodh që as nuk janë njoftuar si duhet, e ato janë grumbulluar me vite deri në shuma të papërballueshme për xhepin e qytetarëve.

Gjithashtu qytetarët që kanë të ardhurat nën mesataren shtetërore, përmbaruesit mund t’ju paguajnë një të pestën dhe jo një të tretën si më parë. Janë ulur pjesërisht edhe një pjesë e tarifave të përmbaruesve. Me zgjidhjen e fundit ligjore, pritet që shuma e kamatave të qytetarëve apo bizneseve që kanë për borxhe të vjetra, të mos jenë më të larta se borxhi themelor. Ose në rast se borxhi ka qenë vite më parë 2000 denarë, që ai sot të mos jetë së bashku me kamatat më i lartë se 4000 denarë kur llogariten kamatat e mbetura dhe të grumbulluara.

Këtë zgjidhje ligjore e propozojnë LSDM së bashku me partinë e koalicionit BDI dhe BESA, apo propozim Ligjin për marrëdhënie obligative me procedurë të shkurtuar për miratim e propozojnë Jovan Mitrevski, Snezhana Kalevska Vançeva, Fisnik Bekteshi Shaqiri, Bastri Bajrami dhe Mirosllav Jovanoviq. Në propozim-ligj thuhet ai do të hyjë në fuqi ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ndërsa do të zbatohet nga një tetori 2021.

“Me miratimin e këtij ligji po zgjidhet një problem i madh dhe i rëndë për pjesëmarrësit në qarkullimin juridik. Njëherësh me nenin 1 të Propozim Ligjit rregullohet edhe shuma e kamatës që nuk mund të jetë më e lartë se shuma e bazës prej së cilës përllogaritet. Gjithashtu me nenin 389, kur shuma e kamatës së arritur dhe e papaguar kontraktuese do të arrijë shumën e bazës, ajo nuk do të rrjedhë më tej”, thuhet në Propozim Ligjin për plotësimin e Ligjit për marrëdhënie obligative apo të detyrimeve. Zgjidhja e re ligjore do të vlejë edhe për qytetarët edhe për bizneset për borxhet të ndryshme të vjetra të energjisë elektrike, telefonisë, bankave etj.

Mes tjerash me këtë propozim ligj pritet të rritet edhe shkalla e përgjegjësisë së pjesëmarrësve në qarkullim, dhe të realizohet barabarësia e pritshme në qarkullimin juridik. Propozim ligji dukshëm do të përmirësojë edhe kushtet për udhëheqjen e biznesit për numrin më të madh të pjesëmarrësve në qarkullimin juridik, që janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ndryshe, Ligji i fundit për marrëdhëniet e detyrimeve u miratua në vitin 2001, që më vonë për disa herë të plotësohet dhe të ndryshohet, për të harmonizuar atë me legjislacionin evropian. Gjithashtu në periudhën e kaluar me zbatimin e zgjidhjes ekzistuese ligjore u paraqitën probleme të mëdha në raport me kamatat e Ligjit ekzistues që ndikonte edhe në shumë raste të marrëdhënieve debitore- obligative, ku kamatat ndëshkuese shpesh për disa herë tejkalonin borxhin kryesor, që pamundësonte kategori të caktuara të personave fizik dhe juridik, apo të qytetarëve dhe firmave të shlyejnë shumën e kërkuar, për shkak se e njëjta rritej në vazhdimësi, sidomos në kontestet kur pagesa dhe shlyerja zvarriteshin për disa vite.

Pas miratimit javë n e kaluar të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve që kamatat të mos të jenë më të larta se borxhi kryesor ,organizatat joqeveritare kanë përshëndetur atë , duke kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë retroaktive , apo të vlejë edhe për borxhet e vjetra. Aktivistja Ana Gligorova thotë se një borxh i vjetërsuar as nuk mund të ekzistojë dhe as duhet të paguhet. Ajo shton se ky ligj është i paqartë në aspektin juridik, për shkak se nuk është pranuar kërkesa e sektorit civil dhe ekspertëve që të definohet vjetërsia e borxheve për dhjetë vite si dhe përfshirja e përmbaruesve. Të paqarta mbeten edhe obligimet për kamatat e kontraktuara dhe ato ndëshkuese.

Leave a Reply