KADARE, BJESHKA E NEMUN E SHPIRTIT TONË

PËR HEJZA-n flet Ballsor Hoxha, shkrimtar

Ballsor Hoxha është autori dy përmbledhjeve me tregime dhe përmbledhjeve me poezi. Ku njëra prej përmbledhjeve të tij me tregime është përkthyer dhe botuar në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, së voni, ka botuar edhe një studim me disa vepra të Ismail Kadaresë. Është autor i njohur në vendet shqiptare, me karrierën e tij të shumanshme. Ka punuar në shkrimin e skenarëve me disa nga regjisorët më të njohur shqiptar, ndër të cilët është edhe Isa Qosja. Ka qenë edhe anëtar i jurisë për Qendrën Kinematograifke të Kosovës për përzgjedhjen e skenarëve të financuar nga ministria e kulturës së Kosovës. Ndër të tjera është edhe kritik dhe studiues për filmin ndërkombëtar dhe atë kosovar. Me edukim është Profesor i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Angleze dhe Amerikane.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

HOXHA: Unë do ta kisha përmbysur këtë pyetje tuajën, gjithnjë me qëllim të ngacmimit të të reflektuarit rreth letërsisë: a duhet me doemos të shkruajmë letërsi? Letërsia nuk është show! Nuk është art! Nuk është gjë që përkufizohet, e në anën tjetër është të gjitha këto e shumë më shumë. A ka në të vërtetë kulturë e shpirt në shoqërinë tonë për letërsinë? Sa më shumë që lexoj, aq më shumë bindem se pragmatizmi, i përkufizuar në Amerikë, por fenomen mbarëbotëror, ka ri-orientuar edhe letërsinë. E ka bërë show dhe biz (show-biz).
Shembulli më i mirë për këtë është – superstar – Michel Hollebecq. Pikë së pari ky – superstar– letërsinë e tij e ka personalizuar në kompleksin e tij psikik, brenda psikozës së tij, duke përfshirë edhe trajtimete tij mjekësore, e aq më shumë duke përvetësuar edhe gjetjet dhe përvojën e mjekësisë së kësaj fushe. Dhe, së dyti, ai ka krijuar edhe figurën e tij si zgjatim apo pamjaftueshmëri, e përhershme, për të përmbushur urinë e tij, për të qenë – superstar – apo i pavdekshëm siç ishin shkrimtarët pak kohë para tij, si shembull. A na ka devijuar kognicioni në të vërtetë: atë, ata shkrimtarë që i shihnim si të pavdekshëm tani i shohim si – superstar -. Shembull tjetër është Murakami, ai me gjithë modestinë e të shkruarit të tij krahas Kawabata, Oe, Mishima ka -kaluar në një ZiggySturdust (një “astronaut” në të renë dhe të panjohurën e njerëzimit, i bartur nga ndryshimet!;) ka kaluar, pa dashjen dhe me gjithë përpjekjen e tij për të mbetur shkrimtar klasik, në – superstar .
Duke hapur një fenomen të kognicionit tonë, të patrajtuar dhe të ri në njerëzim, por shumë shkurt për shkak të hapësirës le ta shohim këtë: A e kupton më njeriu shkrimtarin? Njeriu i obsesionuar nga re-flektimi i tij fizik, dëshiron të shohë çdo gjë. Kjo është edhe ankthi vetë (prej Narcisit e deri tek -kalimi i Dua Lipës në një Doruntinë, qoftë edhe të besës sonë, Doruntinë të re dhe brenda ‘ujanave’ të kognicionit tonë), dhe edhe kriza e këtij -kalimi. Derisa shkrimtari për njeriun ka mbetur një ‘ridikulë’ e cila është e padukshme! E paprekshme. E pa re-flektim! (gjë për shkak tëcilës kemi devijime si Hollebecq!)
Thuhej, qysh në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, se autori kishte vdekur, qoftë si revoltë ndaj psikologjizimit të tij, si zbulim i ndër-thurjes së ‘ujanës’ së njerëzores (interteksti), dhe deri tek njëlloj -kalimi në një strata të metastazuar të informatës dhe më saktësisht të fascinimit (jo vetëm magjepsjes) të tij me informatën. Por, autori i vdekur, shih aporinë, ishte bartësi, i kësaj metastaze, apo thënë shkurt i metastazuari. Bartësi që bartte si ZiggySturdust, apo si astronaut i njerëzimit vetë shpërthimin e tij nga ‘këmisha e çmendisë’ (straightjacket- në anglisht!).
Duke iu kthyer shembullit të Hollebecq këtu: a nuk është ekzakt, ekzakt dhe ekzakt, ky një i ‘krisur’ jashtë – straightjacket ? Por prej këmishës së tij personale, apo të tërë njerëzimit, si astronaut i tij?
Po e marr guximin, me gjithë paskrupullsinë e uzurpimit të kësaj hapësire tejet të çmueshme për të gjithë, për të dhënë përvojën time personale: Letërsia ime është përpjekje, qoftë edhe hollebekiane, për të re-flektuar njeriun sot. Por, në anën tjetër, është gjithherë shpjegimi më i saktë i mundshëm i shkrimtarit sot, dhënë prej Kunderës: personazhet e mia, janë pikërisht momentet e “rrugës që kurrë nuk e mora” (Robert Frost), dhe ajo që do të isha. Apo thënë më saktë, unë shkruaj vetëm në vetën e parë, qoftë për të mishëruar lexuesin në të, qoftë për të evituar paradoksin e Blanchot se “unë nuk mund të klithë që jam i vetmuar, e qoftë skizofren, apo tradhtar, duke projektuar tjetrin në këtë”, gjë që e bëj për të evituar distancën ndërmjet meje dhe njeriut, për të evituar të bërit me gisht tek tjetri, apo ai ndërmjet meje e njeriut. E po pyes, kush do të jetë ajo/ai, në këtë amalgamë aq fisnike të njeriut si letërsia? Unë apo njeriu, se tjetër nuk ka!
Dhe pikërisht kjo ka ndaluar lexuesin, dhe aq më shumë atë që në anglishte thuhet bukur: out – reach, arritjen jashtë vetes, qoftë thjeshtë arritjen e tjetrit, qoftë në dhembjen e tij, qoftë në obsesionin etij. Dhe pikërisht kjo më bën të para-kohe, e futurist, e postmodernist, por jo edhe të arritshëm (të qasshëm)! Të frikshëm aq më shumë. Por, ne harrojmë, apo kemi harruar habinë e letërsisë, përkundër habisë me teknologjinë: duke marrë shembull këtu romanin që “të gjithë”e kanë lexuar, Sikur të isha djalë, ky dhe këto romane në të vërtetë kanë qenë rrënjësisht të guximshme, e aq më shumë – underground -. Dhe në tërë politikën tonë, me veten tonë pikë së pari, i kemi fshehur brenda moralit dogmatik tonë këto guxime, jo vetëm për t’i ruajtur nga ‘gjyqi dogmatik e ideologjik”, por aq më shumë për të krijuar mundësinë e të shijuarit të tyre. Aq është e thjeshtë sa që duket banale!
Apo të marrim shembull tregimin e Kadaresë “Kohë e dashurisë”, në të cilin flitet haptas për tentim dhunimi apo eksplorimi të seksuales gjatë fazës infantile! Çka ka këtu të bëj censura, nëse ai është ende në mesin tonë, apo çka ka këtu të bëj morali e etika! Ne, nuk arrijmë të kuptojmë as të prekim letërsinë në atë që është, hapje (Heidegger) e Botës, deri në vetë Tokën, – wilderness –, të Tokës dhe të ligjeve krejtësisht të ndryshme të saj prej po kësaj Bote!

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

HOXHA: Por, dhe duke konfirmuar bindjen time në vërtetësinë e pyetjes suaj, rreth gjeneratës si të Camajt e Koliqit, e qoftë edhe të Markos deri tek Pashku e Kadare, ne kemi Luljeta Lleshanakun, kemi letërsi, por që perceptohet dhe e shijojmë nën dritën e një kognicioni selektiv ndryshe. Por, a nuk është e tëra një letërsi tashmë. Prej fiktives së të tregtuarit e saktësisht deri tek politika. Ne jemi të – fascinuar – (jo vetëm të magjepsur), është reaksion bio-kimik që na shkakton politika. Jemi të marrë (possesed nga anglishtja) nga ajo. Ne sot kemi shkrimtarë, e qoftë edhe personalitete të fushës së letërsisë, që shkruajnë dhe bëjnë letërsi me emrat e figurave ditore politike. Gjë që shpërfaqë edhe mungesën e imagjinatës, por shumë më shumë pragmatizmin e shkrimtarëve për t’u bërë edhe një Hollebecq, edhe një – superstar – edhe një i njohur. Derisa ky fenomen do të thotë se politika po e vdes letërsinë pikërisht përmes këtyre shkrimtarëve. Dhe, duke iu kthyer thënies këtu se e tëra është një letërsi, ndoshta duhet thënë e tëra është një politikë. Apo, e tëra është një konflikt i njeriut ndërmjet letërsisë dhe politikës. Apo, konflikt ndërmjet shpirtërores dhe pragmatikes (politikës).

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

HOXHA: Mundet! Në atë që nëse ka letërsi, ajo mbrun e ngacmon mendimin rreth saj! E ky të menduar është kritika. Por, në anën tjetër, është shumë e qartë, sidomos në shoqëritë ku mungon një mendim i respektuar dhe respekti ndaj mendimit, që pikërisht figurat e kritikës (lexo: mendimit) ndaj letërsisë krijojnë pushtet e tirani mbi lexuesit e letërsinë. Kur po të njëjtit, posaçërisht pa vetëdije, përbrendësojnë dhe bartin brenda mendimit e kulturës sonë – skema ‘mafioze’ – të kushtëzimit të botuesve dhe të autorëve e të lexuesve, me pozitat e tyre në sistem, duke uzurpuar qoftë shkrimtar si Kadare e të tjerë, dhe aq më shumë mendimin rreth tyre. Apo, në rastin më të rëndë, e në rastin më të përhapur, vetë universiteti dhe universitetet, në varfërinë e tyre, kulturore, të përkrahjes së studimit, dhe të ndërmarrjes së leximeve, duke qenë aq të paditur dhe aq të frikësuar nga tranzicioni global e vendor, e përvetësojnë studimin dhe aq më shumë edhe Kadarenë.
Në të vërtetë, Kadare, duke qenë – Bjeshka e Nemun – e shpirtit tonë, e kjo me të qënit enuncim është ngadhënjimi ynë dhe i shpirtit tonë, uzurpohet dhe abuzohet, qoftë duke e kufizuar të menduarit rreth kësaj bjeshke, e qoftë të bashkëjetuarit me të, jo vetëm si personalizim dhe pragmatizëm, shumë më shumë i pavetëdijshëm, si frikë që na izolon në mosdije, aq më shumë duke e rrënjosur në ne. Kadare, sikur edhe Skënderbeu, pavarësisht ngacmimit që po bëj, po e luftojnë luftën e tyre më të rëndë: luftën me vetë shqiptarin. Me armiqësinë brenda – shqiptare! Me injorancën shqiptare, që, duke iu kthyer gjeneratës së Koliqit e Camajt, mundi të arrijë vetëm jashtë shoqërisë sonë!

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

HOXHA: Më lejoni të ngacmoj tërë atë që quhet ‘letërsi’ në shoqërinë tonë. Duke u nisur prej pyetjes së juaj, tek përvoja personale, e deri tek ‘Imagjinata e pëlleshme’ e shoqërisë sonë. Më lejoni të ngacmoj përmes përgjigjes sime në tërësinë e saj, re-flektimin! A ka një sistem, në shoqëritë tona, qoftë për shijimin e qoftë për vëzhgimin e shpirtit tonë dhe mbijetesës së tij, brenda këtij tranzicioni global? Le ta marrim shembull këtu përpjekjen e shtëpive botuese dhe saktësisht atë Onufrit:

  1. Shtëpia botuese Onufri është nën mallkimin e vetë punës së saj si shtëpi botuese!
  2. Kjo punë, sidomos me përpjekjen e saj me ExLibris, është përpjekje – partizane (në konotacionin ndërkombëtar të kësaj shprehje), punon në – wilderness – të imagjinatës sonë të bujshme.
  3. ExLibris, janë unik dhe të vetëm jo në suksesin dhe as në arritjen e tyre/tij, por në qëndrueshmërinë e tij. Gjë që në imagjinatën e pëlleshme të shoqërisë sonë janë çdo gjë përpos asaj që janë: përpjekje për të bërë letërsi. E saktë, ExLibris nuk mund të mos i jep përparësi botimeve të veta, është ndërmarrje private dhe – partizane -. Por çka ka ndodhur me të tjerët?
    Apo, të marrim shembull këtu një prej përpjekjeve më të arrira, siç ishte MehrLicht! Ishte idealja e letërsisë, duke sjellë në shqip edhe një prej mungesave tona më të pafalshme, mungesën e Marcel Proust në shqip.
    Apo Jeta e Re këtu në Kosovë, që është një ‘legjendë’ në vete! Por që vuan inferioritetin e shoqërisë sonë.
    Apo Poeteka, që vuan avart-garden e saj, ndaj “shpirtngushtësisë” që shkakton imagjinata e pëlleshme e shoqërisë sonë.
    Po i cek këto, e për shumëkënd po bëj promovime etj, por kanë dhe kishin fatin tragjik të gjitha përpjekjet përpos ExLibris deri më tani. Po i cek për të shtuar Kujdesin e juaj, dhe të të tjerëve, e sidomos të lexuesve, që të qëndrojnë në -krahasimin e tyre. Në shijen e tyre, në përjetimin eletërsisë!
  4. A është Onufri fajtor që nuk ka të tjerë?
  5. Vetë Onufri, jo vetëm Hejza (shih përgjigjen e fundit), duhet t’i gëzohen edhe përpjekjeve të tjera, në atë se krijohet dinamika, dhe aq më shumë ka liri të zgjedhjes dhe të krahasimit.
  6. Thelbi i kësaj aporie që e shkakton imagjinata jonë e pëlleshme është vetë mendimi im, puna ime: a do të kishit dëgjuar për mua, a do ta zhvillonim këtë bisedë po të mos ishte ExLibris? (shih përgjigjen e fundit!)

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

HOXHA: Gjithnjë duke konfirmuar edhe ankthin e juaj e timin në pyetjen e juaj, dhe edhe këtë – degjenerim – jo vetëm të letërsisë por të vetë qëniesimit tonë, si -kalim i kognicionit tonë (perceptimit, gjykimit, ndjesisë etj), unë them se është krejtësisht normale! Në atë se është një shtjellë (fjalë tejet e dashur e Kadaresë) që si ‘ujanë’, si dy ujana në fakt, natyra dhe mendja, ka baticat dhe zbaticat e saj (por këto jo në kuptimin e zhargonit tonë), si natyrë e njerëzores, qoftë natyra si imitim i mendjes, apo si dinamikë e të dyjave, si qëniesim i zhveshur!
Njeriu edhe kur nuk e di, apo vepron pavetëdije, është i vetëm këtu, dhe teknologjia është po kjo vetmi, po kjo frikë nga kjo vetmi, që do të thotë është po ai, njeriu. Është edhe degjenerim por edhe -ndryshim! Të frikësohemi është e shëndetshme, na zgjon nga pavetëdijësia! Por, nëse është -kalim i njeriut, ne krejt çka mund të bëjmë është të pranojmë, e aq më shumë, të vëzhgojmënë të vërtetë.
Pikërisht këtu duhet kujtuar thënien më të mençur jo vetëm amerikane, shkurt: të dimë dallimin ndërmjet gjërave që mund t’i ndryshojmë dhe gjërave që nuk mund t’i ndryshojmë! Kjo pyetje, edhe në trend, por edhe si ankth, më shtyn të kujtoj një prej thënieve të bukura të Marquez: gjëja e parë që bëj kur marr një libër në dorë është se i marr erë.
Apo, siç e përsëris shpesh, thënien e Borges: në djall, si nuk mund t’i blej edhe një herë disa libra që tashmë i kam blerë!

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm?

HOXHA: Por kjo pyetje e juaj është – konstatimi – më i saktë, qoftë nën ankthin e pasionit tuaj, qoftë si përpjekje për të ruajtur qëniesimin e letërsisë! Është vetë letërsia jonë!
Ajo që bën letërsi, por edhe qëniesimin, është saktësisht: dinamika, apo thënë ndryshe në zhargonin e pragmatizmit: konkurrenca.
Vetë ju, Hejza, dhe po ashtu edhe të tjerët, duhet t’i gëzohen qoftë dinamikës, e qoftë ringjalljes suaj! Së paku, të gjithë do të kenë mundësinë të krahasojnë (një prej gjërave më të rëndësishme në njeriun): atë që është dhe atë që nuk qëndron! Do të kenë lirinë për të zgjedhur, një prej humanizmave më të rëndësishëm të njerëzimit!
Por, qoftë nëse është vetëm përpjekje, e më saktësisht duke qenë i bindur në pasionin dhe mendimin e juaj, që ‘krisin’ përbrenda pyetjeve të juaja, Hejza (ringjallja e saj) është saktësisht Kujdesi (Heideggerian) dhe rikthimi i pasionit të përmbytur nën ‘ujanat’ e këtij tranzicioni. Është mbijetesa e letërsisë përbrenda seriozitetit tuaj. Është letërsia vetë, si ankth i njeriut ndaj re-flektimit të tij në të, dhe aftësisë së saj për të na nxënë – absentminded – derisa jemi përmbytur në teknologji, është letërsia në të gjitha kohërat! (HEJZA)

Leave a Reply