Ngërçi për reformën në drejtësi, asnjë koment nga Rama

Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të prononcohej për ngërçin në reformën në drejtësi, pas përfundimit të takimit me koordinatorët për zgjedhjet e ardhshme.Rama u pyet nga Top Channel nëse do të përfshihet në diskutimet për zgjidhjen e ngërçit në reformën në drejtësi, por nuk bëri asnjë koment.

Palët kanë ngecur tek mekanizmi se me çfarë shumice zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias thotë se ekziston rreziku që kur mazhoranca zotëron 3/5 e Parlamentit ajo të çimentojë ndikimin e saj tek drejtësia. Demokratët propozojnë shumicën e 2/3-ve, gjë që s’është pranuar nga ekspertët e nivelit të lartë. Dhe në këtë pikë eskpertët e opozitës kërkuan zgjidhje në nivel politik. Pas mbledhjes së të martës kjo kërkesë u bë publike.  Top Channel mësoi se ekspertët demokratë do të vazhdojnë të mos shkojnë në asnjë mbledhje të nivelit teknik, derisa mazhoranca të pranojë se çështjet e ndryshimeve kushtetuese zgjidhen me konsesus politik. Dhe demokratët nuk janë të vetmit, që kërkojnë zgjidhje politike./ Top Channel

Leave a Reply