Midis nesh
Ngritje kapacitetesh është një term që në përditshmërinë tonë është futur relativisht vonë, edhe atë kryesisht përmes teorisë së menaxhmentit. Fillimisht është kuptuar si term që ka të bëjë me zhvillimin e sektorit publik dhe, paralelisht me këtë, edhe të sektorit civil.
Donatorët ndërkombëtarë kanë derdhur lumë parash në hartimin e programeve për ngritje kapacitetesh. Pse ky interesim i ndërkombëtarëve për programe të tilla! Sepse, pas periudhës komuniste, shoqëritë që dolën nga ky sistem, do të jepeshin pas ekonomisë liberal, do të ngrihej sektori privat, i cili do të duhej të ishte bazë e ekonomisë e shoqërive që mëtonin t’i arrijnë vlerat e shoqërisë evropiane. Kjo nuk do të mund të bëhej pa sektorin joqeveritar i cili, në fillet e veta ishte sektor jo i aftë për t’i arritur efektet e pritshme nga donatorët ndërkombëtar. Ky ishte problemi esencial që ndikoi ose në shuarjen e organizatave joqeveritare, ose në reduktimin e kapaciteteve dhe punëve të tyre.
Nga ana tjetër, institucionet shtetërore ishin të ngarkuar ose me kuadër të vjetër, ose dhe me kuadër që nuk hiqnin dorë aq lehtë nga logjika dhe punua sipas metodave të trashëguara nga sistemi i vjetër. Prandaj filloi një fushatë e furishme e donatorëve ndërkombëtarë në ngritjen e kapaciteteve si në shoqërinë civile, apo në organizatat joqeveritare, po ashtu edhe brenda institucioneve shtetërore. Ishte i nevojshëm ky orientim dhe ky angazhim i ndërkombëtarëve, sepse ata donin të shikojnë sa më parë rezultate konkrete. U trajnuan një numër i madh i administratorëve të cilët, pastaj, ose iniciuan ose themeluan, ose edhe vetë kaluan nëpër organizata joqeveritare për të ndërtuar edhe aty kapacitete që do të dinë të menaxhojnë me organizata e fonde në fusha të caktuara. Në masë të madhe, për të mos thënë pjesa dërmuese e këtyre organizatave joqeveritare si dhe e kapaciteteve të reja administrative ishin të etnikumit maqedonas, sepse ata u gjetën në administratë. Si kapacitete të ngritura e të profesionalizuara për menaxhim me projekte, me institucione nacionale, me agjenci e drejtori, i zunë pozicionet e larta dhe ja tek erdhi edhe “epoka” e përfaqësimit adekuat në administratën shtetërore ku zunë vend shqiptarët duke kapur shifrën prej, le të themi, mbi 20 për qind nga administrata e përgjithshme. Madje, derisa po ngriheshin kapacitetet maqedonase, një numër i konsiderueshëm i administratorëve shqiptarë kënaqeshin me rrogën e shtetit që e merrnin duke ndenjur në shtëpi me vite e vite, pa asnjë sekondë përvojë punë në zyre! Të gjithë të shkolluar por jo të avancuar apo të kapur nëpër pozita të larta administrative.
Sot, në Maqedoninë e Veriut mund të numërohen në gishta shqiptarët që dinë të bëjnë program për zhvillim kapacitetesh, projekte sipas formularëve dhe shablloneve evropiane, sipas modelit që e ka përcaktuar donatori evropian! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sikur u vetëpërjashtuan nga “shijimi” i tranzicionit, prandaj edhe nuk arritën kurrfarë rezultati në zhvillimin e resurseve njerëzore në të gjitha sektorët, me theks të veçantë në sektorin e kulturës! Avancimi eventual i ndonjë shqiptari në ndonjë sektor të kulturës mund të ketë pasuar vetëm si trysni politiko-partiake dhe jo si pasojë e zhvillimit profesional të kuadrit që tashmë është i gatshëm të menaxhojë me ndonjë sektor apo institucion nacional. Donatorët ndërkombëtarë edhe më tej hasin në organizata joqeveritare shqiptare që nuk kanë kapacitete as për të kërkuar donacione, as për t’i shpenzuar dhe as për t’i raportuar. Pra, realisht nuk bëhet fjalë për “diskriminime” siç jemi mësuar vazhdimisht të ankohemi, por thjesht, bëhet fjalë për mungesë të kapaciteteve profesionale, të sinqerta dhe të përcaktuara për zhvillime kulturore apo edhe të sferave të tjera. Është më e lehtë ngritja e kapaciteteve nga radhët e personave me përvojë më të gjatë drejtues nëpër sektorë dhe njësi të organizatave apo institucioneve të ndryshme shtetërore, por edhe të shoqërisë civil. Shqiptarët akoma janë në nivelin e “referentëve të pavarur”! Por ka edhe hile administrative që luhen mbi kurriz të shqiptarëve.
Për shembull, kohë më parë, në Ministrinë e Kulturës në RMV janë sjellë disa gra në prag të pensionimit e që një jetë të tërë kanë punuar në administratën e “Ujësjellës e Kanalizime”! Këto kanë përvoja mbi tridhjetëvjeçare në administratë, ndaj dhe janë më të përgatitura se sa shqiptarët për t’u ngritur në pozita të kolegëve të tyre maqedonas që mund të ikin në pension apo edhe që po ikin gjithnjë e më shumë në sektorin privat, nëpër organizata joqeveritare, ku presioni politik është më pak i ndjeshëm! Shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me nivelin e përfaqësimit adekuat dhe, deri në ngritje profesionale duhet të presin durueshëm përgjatë dekadave që do të vijnë! /HEJZA/