NJË VIT ME HEJZËN

Midis nesh

HEJZA është vetëm një pllakë milimetrike në mozaikun e quajtur kulturë shqiptare. Kur vendosëm t’i japim jetë këtu e një vit më parë, as që kishim menduar se interesimi për këtë faqe do të jetë shumë i madh.
I dhamë jetë, me qëllim që sado pak të kontribuojmë për kulturën shqiptarë në përgjithësi dhe letërsinë shqiptare në veçanti. I dhamë jetë me qëllim që të njiheshim edhe më shumë midis komuniteteve artistike, me qëllim të mos i harrojmë ata që s’janë midis nesh dhe t’u japim përkrahje atyre që i bëjnë hapat e para në lëmenj të ndryshëm të botës artistike.
E nisëm dhe vazhdojmë ta mbajmë gjallë trekëndëshin (simbolik) Tiranë – Prishtinë – Shkup, sepse kultura shqiptare kurrë s’mund të ndahet me anë të kufijve, pos nëse kjo do të bëhej vetëm me vullnetin e vet shqiptarëve.
Fatkeqësisht gjatë punës sonë plot me sakrifica dhe pa asnjë interes material, kemi hasur edhe në shumë stërkëmbëza, insinuata dhe disa forma të tjera, të cilat janë të turpshme të përmenden. Të gjitha këto i kemi kaluar me qetësi, sepse i madh ishte numri i atyre që na dhanë përkrahje.
HEJZA është e vetmja faqe (nuk mund të gjeni në asnjë medium tjetër në hapësirën shqiptare), e cila për çdo ditë ka postuar editorialin, duke trajtuar probleme të natyrave të ndryshme, me të cilat ballafaqohet kultura shqiptare, përkatësisht letërsia shqiptare. Kemi prekur edhe aso probleme, për të cilat shumë kush as që e ka ditur se ekzistojnë. Natyrisht, kjo ka qenë një punë e mundimshme, por ja që ia dolëm, ndërkaq satisfaksion i vetëm ishte shpërndarja e këtyre shkrimeve nëpër mediume tjera.
HEJZA tani më është një fenomen në hapësirën tonë kulturore, aq më tepër kur të kihet parasysh se e gjithë puna e ekipit të vogël bëhet në baza vullnetare, thjeshtë duke qenë të ndërgjegjshëm ndaj ruajtjes dhe përforcimit të identitetit kombëtar. Pra, ky ekip i vogël fare nuk qe i preokupuar me aspektin material, por vetëm më anën shpirtërore.
Ra HEJZA dhe ne (ekipi i vogël) kuptuam se, sidomos në komunitetin e shkrimtarëve dhe “shkrimtarëve”, ka shumë defekte. Disa akoma nuk mund të lirohen nga cinizmi, nga xhelozia, nga intrigat, nga të qenit analfabet, nga këmbëngulja si e si të bëhen poetë, duke e blerë shtrenjtë “famën” e tyre. Është për t’u habitur me faktin se si disa “shkrimtarë” me shumë libra, nuk janë në gjendje ta shkruajnë një tekst, qoftë edhe një gjysmë faqe kompjuteri. Krimin në këtë drejtim e bëjnë ata që kanë hapur “dyqane” për shitjen e dorëshkrimeve dhe për botimin e tyre. HEJZA i ka detektuar të gjitha këto anomali, të cilat megjithatë kërkojnë zgjidhje institucionale, por edhe përgjegjësi individuali.
Ata që qëndrojnë prapa HEJZËS nuk vuajnë as për emër e as për famë, por vuajnë për atë se si disa dashakëqijve ju intereson vetëm forma dhe aspak përmbajtja. Është tragjik fakti se si këta “intelektualë” përdorën metoda edhe të llojit policesk për të mësuar se kush janë ata që e bëjnë HEJZËN.
HEJZA mbushi një vit dhe që sot shkel në vitin e dytë, duke vazhduar me të njëjtin ritëm, duke qenë në lidhje të çdoditshme me mijëra përkrahës të saj. Hejza do të jetë e hapur për të gjithë ata që ndjejnë nevojë të bashkëpunojnë me të.
Ndërkaq atyre pak njerëzve që nuk u pëlqen HEJZA, u sugjerojmë që ta hapin një faqe të njëjtë dhe aty të postojnë çfarë t’u dojë pikë e qejfit. Kuptohet, nuk do ta kenë lehtë, sepse nevojitet shumë dije e punë…

Leave a Reply