Rritet sërish inflacioni në Eurozone

Ndikoi rritja e çmimit të energjisë

Inflacioni në Eurozonë shënoi një rekord të ri prej 9.1 për qind në gusht, duke regjistruar nivelin më të lartë që prej vitit 1999. Krahasuar me muajin korrik, kur inflacioni ishte 8.9 për qind, gjatë gushtit ky tregues u rrit me 0.2 për qind.

Sipas një vlerësimi të Eurostat, ushqimet, alkooli si dhe duhani shënuan sërish rritje në muajin që lamë pas, duke regjistruar edhe çmimet më të larta që prej nisjes së konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ekonomistët shprehen se efekti i rritjes së normave të interesit dhe kriza e vazhdueshme e energjisë kontribuuan në inflacionin e lartë në Evropë. 

Parashikimet nuk janë aspak optimiste teksa ekspertët vlerësojnë se inflacioni në Eurozonë mund të rritet edhe më tej në muajt e ardhshëm, madje duke u dyshifruar, me rritjen e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike.

Inflacioni i rritur shton presionin mbi Bankën Qendrore Evropiane, e cila rriti normat bazë të interesit me 50 pikë bazë në korrik dhe pritet të rrisë sërish normat në mbledhjen e saj të radhës në shtator.

Pengesat e furnizimit pas pandemisë dhe fillimi i luftës Rusi – Ukrainë kanë qenë ndër faktorët kryesor që kanë sjellë rritjen e çmimeve të energjisë, metaleve të çmuara si dhe produkteve ushqimore bazë.

Leave a Reply