Midis nesh
Studiuesit e njohur Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Shmitt ditë më parë në Tiranë prezantuan librin e tyre “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë”. Shmitt tha se ky libër u përgatit për lexues të huaj, që nuk e njohin Shqipërinë, por që dëshirojnë të kenë një vështrim të përgjithshëm për historinë e saj, duke shtuar se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vend i panjohur në botë.
Me këtë rast, historianët prezent në promovimin e këtij libri, konstatuan se pas 45 vjet historiografi të regjimit komunist dhe 30 vjet të historiografisë në demokraci, në Tiranë ende vazhdon të mbetet një çështje e nxehtë që debatohet me tone të ngritura nevoja për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, për të zhveshur nga shtrembërimet e qëllimshme dhe gjysmë të vërtetat, që hartuan historianët e gjysmës së dytë të shekullit 20.
Shqiptarët, duam apo s’duam ta pranojmë, kanë një histori, siç kanë një gjuhë, pavarësisht hapësirave ku jetojnë (Konferenca e Londrës institucionalizoi krimin ballkanik kundër Shqipërisë dhe shkëputi nga trualli mëmë krahina të tëra, qytete e fshatra, fusha e kodrina, pjesë të deteve dhe liqeneve, që kishin qenë tradicionalisht shqiptare, qysh prej shumë shekujsh. Kasaphana ndërkombëtare u zyrtarizua në Kongresin e Berlinit). Është përjashtues, mbase mohues, çështja e rishkrimit të historisë së Shqipërisë. Logjika e vetme thotë se po, duhet të rishkruhet historia, por jo e Shqipërisë, e cila mund të jetë në cilësinë e një kapitulli në kuadër të rishkrimit të historisë shqiptare. Sepse, nëse ndodh e kundërta, pra nëse rishkruhet vetëm historia e Shqipërisë, atëherë cila histori do t’i përfshinte shqiptarët e mbetur jashtë saj. Dilemat e këtilla assesi nuk guxojnë të na hamendësojnë, sepse bëhet fjalë vetëm për një histori shqiptare.
Një gjë është e qartë: historianët shqiptarë fatkeqësisht nuk kanë qëndrim të njëjtë për ngjarje të ndryshme. Dallimet e tyre janë aq të mëdha sa që, tash për tash, rishkrimi i historisë, qoftë edhe i Shqipërisë, është i pamundur, ndaj kjo ndasi absurde ka “kontribuar” që disa pjesë të historisë sonë t’i shkruajnë autorët e huaj, siç janë në rastin konkret, Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Shmitt.
Kjo ndasi (të majtë dhe të djathtë) e historianëve shqiptarë është pafalshme, aq më tepër për shkak të konstatimit se historia shqiptare për momentin nuk është as në tokë e as në qiell. Këtë fakt e përforcon edhe më shumë pasja e shumë librave të Historisë shqiptare të shkruar nga autorë të ndryshëm, të cilat libra, ndonëse bëjnë fjalë për ngjarje të njëjtë, megjithatë kanë dallime të mëdha. Edhe sot e kësaj dite ka shumë dallime, sidomos për periudhën nga viti 1912, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë e deri në ditët e sotme.
U bie barra akademive shqiptare që të bashkërendisin një projekt që do ta përfshinte historinë shqiptare si një të vetme dhe jo të fragmentarizuar. S’mund të ketë histori të shqiptarëve të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e kështu me radhë. Historia e shqiptarëve është një dhe ajo duhet të shkruhet ashtu siç është e dokumentuar, pa ndikime politike.
Dhe, natyrisht, duhet ta shkruajnë historianët e vërtetë dhe të dëshmuar dhe jo historianë halabakë që sot i kemi me bollëk nëpër universitete e institute të historisë, përfshi edhe akademitë. Është koha e zgjimit të ndërgjegjes së historianëve, sepse edhe aktualiteti është historik. Nëse nuk e njohim historinë ashtu siç duhet, atëherë kjo është njësoj sikur të kemi lindur dje./ Hejza/