Obama, takim me Putinin në Nju Jork

Ukraina pritet të jetë çështja më kryesore e diskutimeve, kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama të presë homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë javës së ardhshme në Nju Jork.

Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë gjatë kësaj të enjteje, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga Kremlini, i cili nga ana e tij pretendon se takimi i planifikuar mes dy presidentëve më 28 shtator, në Nju Jork, është organizuar me “marrëveshje të përbashkët” dhe do të fokusohet te Siria.

“Kur Presidenti ynë të ulet në të njëjtën tryezë me Presidentin Putin, çështja kryesore e axhendës së tij do të jetë Ukraina”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, gjatë një njoftimi të shkurtër.

Ai shtoi se Putin kishte kërkuar takimin me Obamën dhe se data e saktë e takimit, që pritet të mbahet gjatë punimeve të përvitshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk është vendosur ende.

Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur foli në lidhje me këtë takim i dha të detajuara edhe këto të dhëna. Në konferencën e tij me gazetarët, Peskov u tha atyre se kriza në Ukrainë do të diskutohet “vetëm nëse premton koha”. Madje, ai shtoi se takimi do të ndodhë pasi Putin t’iu adresohet Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se udhëheqësit e dy vendeve do të diskutojnë për rreth 50 apo 60 minuta.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që bisedimet politike mbi Sirinë t’i avancojnë gjatë takimit të Kombeve të Bashkuara dhe u kanë thënë Rusisë se nuk janë në favor të lëshimit të ndonjë deklarate nga ana e Këshillit të Sigurisë mbi të, përpara se dy krerët të takohen me njëri-tjetrin, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Leave a Reply