Pas Serbisë, Hungaria mur anti-emigrantë edhe me Slloveninë

Hungaria është e vendosur që të mbajë sa më larg refugjatët. Pas barrierave të ngritura në kufirin me Serbinë, Budapesti njoftoi nisjen e punimeve në “thurjen” edhe të vijës kufitare me Slloveninë.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovac.

Për momentin, puna është përqendruar në ngritjen e barrierës në pikë-kalimin kufitar Tornjisentmiklos-Pince, megjithatë, zëdhënësi tha se bëhet fjalë për një të përkohshme.

Hungaria është vënë në qendër të kritikave për politikat e ndjekura prej saj ndaj dyndjeve të emigrantëve. Kryeministri, Victor Orban jo rrallëherë ka dalë me deklarata të ashpra ndaj qëndrimeve të mbajtura nga Bashkimi Europian dhe veçanërisht Berlini.

“Refugjatët nuk po trokasin për ndihmë në derën tonë, ata po i shkallmojnë dyert tona”, ishte deklarata më e fundit e tij.

Leave a Reply