Kongresistja demokrate në Shtetet e Bashkuara, Alexandria Ocasio-Cortez, tha se nuk ka “asnjë dyshim” se presidenti i SHBA’së, Donald Trump, është “racist”.
Në një intervistë për CBS News, Ocasio-Cortez e bazoi pretendimin e saj mbi, siç tha, fjalët që përdor presidenti, e që, sipas saj, reflektojnë mbi “supremacinë e bardhë”.
“Kur shihni se si ka reaguar ndaj incidentit në Sharllotsvill, ku një neo-nazist ka vrarë një grua, kundrejt mënyrës se si krijon kriza, si ato me migrantët që kërkojnë strehim legal në kufijtë tanë, është si dita me natë”, tha Ocasio-Cortez, raporton REL.
Ajo ka marrë detyrën javën e kaluar si kongresistja më e re amerikane në histori.
Ocasio-Cortez po ashtu e quajti Trumpin “simptomë të problemit”.
“Presidenti sigurisht se nuk e ka shpikur racizmin, por sigurisht se i ka dhënë zë atij, e ka zgjeruar atë dhe ka krijuar një platformë për ato gjëra”, tha Ocasio-Cortez.
Në një deklaratë për CBS, Shtëpia e Bardhë tha se “injoranca e saj në këtë çështje nuk mund të mbulojë faktin që presidenti Trump ka mbështetur dhe miratuar reformën historike në drejtësi” dhe “ka dënuar në mënyrë të përsëritur racizmin dhe fanatizmin në të gjitha format”.