Omicron shton presionin në spitalet europiane

Mungesë e theksuar stafi prej infektimeve të shumta

Pavarësisht se deri tani po karakterizohet nga simptoma të lehta, Omicron ka shtuar sërish presionin në spitale. Ndryshe nga valët e kaluara, nuk është dyndja e pacientëve që zhyt në kolaps spitalet, por mungesa e stafit mjekësor.

Në spitalet e Romës dhe gjithë rajonit të Lacios personelit mjekësor i mungojnë këto ditë rreth 10 mijë punonjës, mes të cilëve mjekë dhe infermierë që janë izoluar nga infektimi me Omicron.

Vështirësitë po hasen kryesisht tek personeli i urgjencave. Kjo ka shtuar edhe radhët e autoambulancave në pritje për të lënë pacientët në spitale. Qeveria britanike dërgoi 200 ushtarë në ndihmë të spitaleve me mungesa të stafit mjekësor. Javën e fundit, mungesat e punonjësve të infektuar në klinika ka rritur me gati 60%. Në të gjithë vendin mungojnë mbi 39 mijë punonjës të shëndetësisë.

Një situatë të tillë e paralajmëroi edhe OBSH, që kërkoi që Omicron të mos konsiderohet si variant i lehtë, pasi shpejtësia e paprecedentë e përhapjes mund t’ua bëjë të pamundur spitaleve kurimin e gjithë atyre që kanë nevojë dhe kjo mund të shtojë numrin e viktimave. Infektimet ditore rekord në gjithë botën bënë që shifra totale e të prekurve nga Covid-19 të kapërcejë 300 milionëshin.

Leave a Reply